Site icon Telegrafi

Etika në gazetarinë qytetare u diskutua në kinemanë “Jusuf Gërvalla”

Kinema “Jusuf Gervalla” ka organizuar diskutimin me temën Etika në Gazetarinë Qytetare, ku është folur rreth rimendimit të një normaliteti të ri, pas kalimit të pandemisë, ndërkaq me theks të veçantë është diskutuar rreth informimit të drejtë dhe informacioneve të sakta.

Në këtë diskutim, kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu ndau përvojën e tij dhe foli për sfidat e informimit gjatë pandemisë dhe rreth besueshmërisë së lajmeve gjatë kësaj kohe.

“Ne duhet me i respektuar rregullat profesionale të raportimit gazetaresk, gjithmonë sidomos na si medie online jemi në njëfarë lufte të publikimit të informatës, që është shumë normale. Por, ajo çka ne e kemi këtu, që veprojmë në Telegraf, plasimin në kohë reale të informatës së verifikueshme, këto janë lajme të cilat nuk kanë nevojë për filtra shtesë për tu publikuar. Ai lajm vjen nga ministria, policia, emergjenca apo burimi brenda dhe është i verifikueshëm”, tha Hajrullahu.

Ndërkaq për lajmet të cilat vijnë nga qytetarët, Hajrullahu theksoi se ai informacion ka nevojë edhe për një burim shtesë, për vërtetim të informacionit.

Veton Kasapolli, specialist i komunikimit tha se besueshëmëria nuk ka të bëjë vetëm me vërtetësinë e lajmit, por edhe me portretizimin që u bëhet personave, qofshin ata të mitur apo të rritur, pra me mënyrën si trajtohet një temë e caktuar.

“Nuk është, kur flasim për besueshmërinë që gjithmonë duhet të flasim nëse mediat përçoni informacion që është i besueshëm vetëm që ka të bëjë me politik, por edhe një besim që publiku ua jep juve është sa i respektoni çështjet e privatësisë, qysh është portretizuar një i mitur, një dëmtim i reputacioni të një personaliteti apo edhe i një qytetari të zakonshëm”, tha Kasapolli. /Telegrafi/

Exit mobile version