Site icon Telegrafi

Kina zotohet se do të “luftojë deri në fund” me ShBA-në – në luftën tregtare ose në çdo luftë tjetër

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Lin Jian (foto: Tingshu Wang/Reuters)

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka premtuar se Kina do të “luftojë deri në fund” me ShBA-në në një “luftë tarifore, luftë tregtare apo çdo luftë tjetër”, duke shënuar retorikën më të ashpër të Kinës ndaj presidentit amerikan Donald Trump që nga hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Të martën, në përgjigje të vendimit të Trumpit për të vendosur një tarifë shtesë prej 10 për qind mbi mallrat kineze, duke e çuar detyrimin në 20 për qind, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, deklaroi: “Ushtrimi i presionit ekstrem mbi Kinën është një objektiv i gabuar dhe një llogaritje e gabuar … Nëse ShBA-ja ka qëllime të tjera dhe këmbëngul në një luftë tarifore, luftë tregtare apo çdo luftë tjetër, Kina do të luftojë deri në fund. Ne këshillojmë ShBA-në të lërë mënjanë sjelljen e saj bulizuese dhe të kthehet sa më shpejt në rrugën e duhur të dialogut dhe bashkëpunimit”.

Komentet mbi “çdo luftë tjetër” u shpërndanë në X nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme dhe më pas u ripostuan nga Ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara. Ambasada përsëriti mesazhin, duke shkruar: “Nëse lufta është ajo që dëshiron ShBA-ja, qoftë një luftë tarifore, një luftë tregtare apo çdo lloj tjetër lufte, ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund”.

Të mërkurën, i pyetur për të sqaruar se çfarë nënkuptonte me “çdo luftë tjetër”, Lin tha: “Nëse ShBA-ja ka qëllime të tjera dhe këmbëngul në dëmtimin e interesave të Kinës, ne do të luftojmë deri në fund. Ne këshillojmë ShBA-në të lërë mënjanë sjelljen e saj bulizuese dhe të kthehet sa më shpejt në rrugën e duhur të dialogut dhe bashkëpunimit”.

Kina kundërshton fuqishëm përpjekjet e Trumpit për të lidhur tarifat me rrjedhën e fentanilit nga Kina në ShBA. Lin tha se çështja e fentanilit ishte “justifikim” për ShBA-në për të vendosur masa të ashpra tregtare ndaj Kinës.

Kina u kundërpërgjigj këtë javë duke vendosur tarifa deri në 15 për qind mbi një sërë produktesh bujqësore amerikane.

Të mërkurën, Këshilli i Shtetit të Kinës publikoi një dokument të titulluar: “Kontrolli i substancave të ndërlidhura me fentanilin – Kontributi i Kinës”. Dokumenti theksonte se “Kina i përmbush në mënyrë rigoroze detyrimet ndërkombëtare për kontrollin e drogës” dhe se operacionet kundër narkotikëve janë “fokus qendror i bashkëpunimit midis Kinës dhe ShBA-së”. Në vitin 2019, Kina përfshiu të gjitha format e fentanilit në listën e substancave të kontrolluara, duke u bërë i vetmi vend i madh që e ka bërë këtë në mënyrë të përhershme. Por, Shtëpia e Bardhë thotë se “zyrtarët kinezë kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të ndaluar rrjedhën e kimikateve pararendëse” drejt grupeve të krimit të organizuar, si kartelet e drogës në Meksikë.

Deklaratat e ashpra të Lin vijnë ndërsa Kina po zhvillon ngjarjen e saj më të madhe politike vjetore – dy sesionet. Ky emër i referohet takimeve paralele të Parlamentit të Kinës, Kongresit Kombëtar të Popullit dhe një organi këshillimor të nivelit të lartë. Këto ngjarje janë zakonisht të organizuara me kujdes dhe rrallëherë përfshijnë retorikë agresive të stilit “të ujkut luftëtar”, siç janë komentet e Linit. Në ceremoninë e hapjes së Kongresit Kombëtar të Popullit, kryeministri Li Qiang mbajti raportin e punës së qeverisë, ku tha se bota po përballet me “ndryshime të papara në një shekull”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version