Site icon Telegrafi

Kina tiranike dëshiron të rrëzojë dollarin amerikan

Marco Rubio

Çdo ditë, kundërshtarët e Amerikës po bashkëpunojnë më ngushtë midis tyre për të minuar mjetet tona të politikës së jashtme. Kohët e fundit, ata i kanë vënë sytë në sistemin ekzistues të financave ndërkombëtare. Kjo sfidë do të kërkojë që ne të jemi më kreativë dhe më bashkëpunues.

Ky është një tjetër tregues se momenti unipolar ka përfunduar, dhe se bota po hyn në një epokë të re të konfliktit të fuqive të mëdha. Kur u shemb Bashkimi Sovjetik, ShBA-ja u bë superfuqia e shquar në botë.

Ai pozicion – i dominimit ushtarak, ekonomik dhe kulturor – i dha Amerikës një aftësi të pakrahasueshme për të ndikuar në ngjarjet globale. Ndër mjetet kryesore që dispononim ishin sanksionet financiare dhe bankare. Sanksionet na lejuan të ndiqnim interesat tona të politikës së jashtme, pa pasur nevojë të dërgonim trupa ushtarake në terren apo avionë.

Dhe, ato ishin si simbolike ashtu edhe të prekshme, sepse çdo komb i madh ishte i lidhur në një sistem financiar global të ndërtuar mbi dollarin amerikan dhe bankat amerikane. Megjithatë, ky sistem po sfidohet gjithnjë e më shumë, gjë që do të thotë se po kështu po ndodh edhe me efektivitetin e sanksioneve ndërkombëtare.

Partia Komuniste Kineze është forca shtytëse e këtij ndryshimi. Regjimi atje ka kërkuar prej kohësh të lartësojë renminbin (juanin kinez), por historikisht, pak vende ishin të gatshme të vendosnin besimin e tyre tek Pekini.

Vlera në dukje arbitrare e monedhës së Kinës, e kombinuar me tregjet e mbyllura, sundimin autoritar dhe një histori shfrytëzimi, e bënë juanin të pabesueshëm. Kjo gjë mbetet e vërtetë sot, por perceptimi ka filluar të ndryshojë, sepse ekonomia e Kinës po rritet dhe marrëdhëniet tregtare po zgjerohen.

Në vitin 2022, Rusia krijoi një sistem të ri të transferimit të financave për të bërë tregti me Kinën në mënyrë të pavarur nga bankat perëndimore. Juani e ka tejkaluar dollarin si monedha më e tregtuar brenda Rusisë. Ndërkohë, në janar të këtij viti, Rusia dhe Irani i lidhën sistemet e tyre financiare.

Pra, duke punuar bashkë, regjimet tiranike të Moskës, Pekinit dhe Teheranit tani mund të zbehin ndikimin e politikave të ShBA-së. Ky sistem financiar alternativ, është aktualisht i kufizuar nga shtrirja e tij. Nuk ka në listë as tri vende, madje edhe me një gjigant industrial si Kina, nuk mund ta zëvendësojë ekonominë globale.

Megjithatë, ajo po i siguron një rrugë shpëtimi Vladimir Putinit, pasi po i reziston masave ndëshkuese për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, kjo krijon gjithashtu një pikë qorre në të cilën aktorë të tjerë – duke përfshirë kombet dhe kompanitë që bëjnë biznes me Amerikën – mund të fshehin sjellje të dyshimta nga komuniteti global.

Për më tepër, ndërsa ekonomia e Kinës vazhdon të rritet, më shumë vende do të hyjnë në orbitën e Pekinit dhe në këtë sistem në zhvillim. Kur të ndodhë kjo gjë, alternativat ndaj dollarit do të kenë një qëndrueshmëri më të madhe.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë, presidenti brazilian Lula da Silva, dëshmoi se kjo gjë ka nisur të ndodhë tashmë, kur nënshkroi 15 marrëveshje me Pekinin mbi gjithçka, nga kërkimi shkencor, teknologjia e informacionit dhe deri tek bujqësia.

Lula njoftoi synimin e tij për të ndihmuar Partinë Komuniste Kineze “të balancojë gjeopolitikën botërore”, pra të zvogëlojë ndikimin e ShBA-së në skenën botërore. Po ashtu, ai është dakord me krijimin e një monedhe të pavarur për të konkurruar dollarin.

Nga këto zhvillime, ne amerikanët duhet të arrijmë në përfundime politike. E para është se duhet të rigjallërojmë prodhimin vendas. Që nga viti 2000, kur Amerika ia dorëzoi Kinës statusin e saj si Fabrika e Botës, avantazhet tona të vetme ekonomike kanë qenë aftësia jonë për të sjellë risi në aspektin teknologjik për të dominuar në sektorin financiar.

Por, i pari po ngec, ndërsa i dyti po zbehet. Për të mbijetuar dhe lulëzuar në një epokë shumë-polare, ne duhet të jemi në gjendje që t’i bëjmë gjërat përsëri, nga gjysmëpërçuesit tek farmaceutikët dhe gjithçka midis tyre.

Arsyeja e dytë është se ShBA-ja duhet të përmirësohet në lidhjen dhe mbajtjen e miqësive me vendet e tjera. Ne nuk mund të mbështetemi më tek qasja e vetme, sipas së cilës vendet e huaja duhet të ndjekin shembullin tonë. Për të balancuar koalicionin anti-amerikan në rritje të Pekinit, dhe për ta mbajtur dollarin sa më të fortë që të jetë e mundur, Shtetet e Bashkuara duhet të ndërtojnë një koalicion të vetin.

Fatmirësisht, bota ka shumë vende me ndikim që nuk kanë dëshirë ta shohin Partinë Komuniste Kineze të bëhet fuqia dominuese në botë. Ato variojnë nga aleatët tradicionalë në Evropë, deri tek fuqitë aziatike si Japonia dhe Koreja e Jugut.

Administrata Biden duhet t’i bindë këto kombe se ia vlen të bashkëpunojnë me ShBA-në. Por, që ta arrijmë këtë, ne duhet të jemi partnerë të besueshëm dhe të respektueshëm dhe duhet ta mbajmë jashtë financave ideologjinë progresive.

Kompanitë e huaja nuk duan që t’i kalojnë transaksionet e tyre financiare përmes Nju-Jorkut, nëse kjo do të thotë që të paguajnë taksa të tepruara mbi korporatat apo të marrin përsipër rrezikun për të zhvendosur llogaritë e tyre bankare si pasojë e një fushate nga e majta radikale.

Nëse majtizmi lejohet të zbatojë deri në fund ideologjinë e tij, ai do t’i shtyjë kombet që janë aktualisht të palidhura në ndonjë aleancë – dhe ndoshta edhe disa nga miqtë tanë – në krahët e kundërshtarëve tanë. Për të parandaluar ndodhjen e këtij skenari, udhëheqësit tanë duhet të zgjedhin frenimin në vend të pastërtisë ideologjike.

Kjo do të jetë e vështirë, por po kështu do të jetë pothuajse gjithçka në lidhje me kalimin në financat multipolare. Megjithatë, ne duhet të përshtatemi, sepse është shumë më e vështirë të lejosh botën të ndryshojë nën këmbët e tua, të jetosh me pasojat dhe të mos bësh asgjë për to. /Burimi: The Daily Telegraph/Përkthimi: Bota.al/

 

Exit mobile version