Pekini dhe Uashingtoni po “ruajnë një komunikim të afërt” sa i përket mospajtimeve tregtare, tha ministria e Tregtisë e Kinës, duke përsëritur se tarifat duhet të ulen si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme.
Në periudhën e fundit ishin rritur shpresat që të dyja palët janë afër arritjes së një marrëveshjeje, por nënshkrimi i ligjit që mbështet protestat pro-demokracisë në Hong Kong, nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump dhe miratimi i projekt-ligjit të nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve për pakicën e myslimanëve ujgurë në Kinë, ishin parë si pengesë në bisedimet mes dy vendeve.
Zëdhënësi i ministrisë së tregtisë së Kinës, Gao Feng, shtoi megjithatë, se “nëse të dyja palët do të arrijnë marrëveshje, tarifat duhet të ulen në përputhje me rrethanat” .
Të martën, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nënshkrimi i marrëveshjes më Kinën mund të presë deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
“Në disa mënyra është më mirë të presësh deri pas zgjedhjeve për marrëveshjen me Kinën. Por ata duan të bëjnë një marrëveshje tani “tha presidenti Trump.
Kina u bëri jehonë këtyre komenteve duke thënë se “nuk do të vendosin ndonjë afat kohor” për nënshkrimin e një marrëveshjeje.
Deklaratat e Trumpit trazuan tregjet financiare botërore.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë janë përfshirë në një konflikt tregtar për më shumë se një vit, duke goditur njëra-tjetrën me tarifa të mallrave në vlerë qindra miliarda dollarë. /rel/