Zyrtarët e Komisionit Nacional për Shëndetësi, kanë bërë të ditur sot se Kina e ka “tejkaluar” kulmin e krizës së epidemisë së coronavirusit.
Këtë informacion e ka kumtuar në konferencën për media, shefi i komisionit Mi Feng, transmeton Telegrafi.
Në provincën Hubei, epiqendra e epidemisë, janë regjistruar tetë raste të reja me të infektuar, dhe kjo është hera e parë që në baza ditore vlera e të prekurve më coronavirus është njëshifrore.
Në këtë provincë kanë filluar të rihapen kompanitë e mëdha, ndërsa autoritetet lokale me kujdes të shtuar po zbusin masat e kufizimit që ishin vënë si preventivë për ta luftuar përhapjen e virusit.
Autoritetet lokale sipas mediave kineze duhet të japin maksimumin që të sigurojnë një ambient, që do t’i mundësonte qytetarëve të kthehen në vendet e tyre të punës.
Në Kinë që nga fillimi i krizës janë regjistruar 80.793 raste me coronavirus, e nga ata janë shëruar 62.793 që më pas janë liruar nga spitalet.
E numri i të vdekurve është rritur për 11 në raport me ditën e djeshme, duke arritur kështu numri i viktimave në 3.169. /Telegrafi/