Popullsia e Kinës ka pësuar rënie për herë të parë në 60 vjet, me normën kombëtare të lindjeve që ka arritur një rekord të ulët – 6.77 lindje për 1000 gra.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, popullsia në vitin 2022 – 1.4118 miliardë – ra me 850,000 nga 2021.
Shkalla e lindjeve në Kinë ka qenë në rënie prej vitesh, duke nxitur një sërë politikash për të ngadalësuar trendin.
Por shtatë vjet pas heqjes së politikës së një fëmije, ajo ka hyrë në atë që një zyrtar e përshkroi si një “epokë të rritjes negative të popullsisë”.
Shkalla e lindjeve në vitin 2022 ishte gjithashtu në rënie nga 7.52 në vitin 2021, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, e cila publikoi shifrat të martën.
Vdekjet gjithashtu tejkaluan lindjet për herë të parë vitin e kaluar.
Kina regjistroi shkallën e saj më të lartë të vdekjeve që nga viti 1976 – 7.37 vdekje për 1000 njerëz, nga 7.18 një vit më parë.
Të dhënat e mëparshme të qeverisë kishin paralajmëruar një krizë demografike, e cila në afat të gjatë do të tkurrte fuqinë punëtore të Kinës dhe do të rriste barrën mbi kujdesin shëndetësor dhe kostot e tjera të sigurimeve shoqërore. /Telegrafi/