Site icon Telegrafi

Kina së shpejti pushon të jetë vendi me më shumë banorë në botë

Sipas një raporti të ri nga Kombet e Bashkuara, India do ta kapërcejë Kinën brenda dhjetë vjetësh dhe do të bëhet vendi më i populluar në botë, raporton CNN, përcjell Telegrafi.

Po sipas të njëjtave të dhëna, popullsia e Kinës dhe Indisë aktualisht përbën rreth 37% të popullsisë së botës. Kina ka rreth 1.4 miliardë njerëz dhe India ka rreth 1.3 miliardë.

Megjithatë, sipas raportit të OKB-së, Perspektiva Botërore e Popullsisë 2019, do të ketë më shumë njerëz në Indi sesa në Kinë në vitin 2027.

“Në periudhën 2019-2050, popullsia e Kinës do të reduktohet me 31.4 milionë, ose 2.2 për qind”, ka thënë raporti.

Rritja e popullsisë vlerësohet të ketë edhe në Nigeri dhe Pakistan.

Përveç faktit që India pritet të kalojë Kinën, OKB thotë se deri në vitin 2050, Nigeria do të bëhet vendi i tretë në botë me numrin e banorëve dhe do të tejkalojë Shtetet e Bashkuara.

Kështu, duket se më shumë se gjysma e popullsisë globale të parashikuar deri në vitin 2050 do të shpërndahet në vetëm nëntë vende: India, Nigeria, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Tanzania, Indonezia, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara.

Raporti gjithashtu parashikon që deri në vitin 2050, do të ketë 9.7 miliardë njerëz në planet, e cila është një rritje e habitshme e popullsisë brenda vetëm një shekulli. Ndryshe, vlerësohet se tani ka rreth 7.7 miliard njerëz në botë. /Telegrafi/

Exit mobile version