Telegrafi

Kina rihap kufijtë për turistët e huaj për herë të parë që nga shpërthimi i rasteve me COVID-19

Kina ka thënë se do të rihapë kufijtë e saj për turistët e huaj për herë të parë në tri vite që nga shpërthimi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 duke rivendosur dhënien e të gjitha llojeve të vizave nga e mërkura.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, heqja e kësaj mase të fundit të kontrollit ndërkufitar të vendosur për t’u mbrojtur kundër COVID-19 vjen pasi autoritetet muajin e kaluar shpallën fitoren ndaj një rritjeje të fundit të rasteve të virusit.

Nxitja në sektorin e turizmit duhet të ndihmojë në “rindezjen” e një ekonomie prej 17 trilionë dollarësh që vitin e kaluar pësoi një nga ritmet e saj më të ngadalta të rritjes në gati gjysmë shekulli.

Autoritetet kanë thënë gjithashtu se të huajt që mbajnë viza të lëshuara para 28 marsit 2020 që janë ende brenda datave të vlefshmërisë së tyre do të mund të hyjnë gjithashtu në Kinë.

Pekini braktisi politikat drakoniane zero-COVID në dhjetor dhe në janar anuloi kërkesat e karantinës për udhëtarët në hyrje.

Kryeministri i ri Li Qiang tha të hënën se Kinës iu deshën më pak se dy muaj për të arritur një “tranzicion të qetë” në përgjigjen e saj ndaj COVID-19 dhe se strategjitë dhe masat e vendit kishin qenë plotësisht të sakta. /Telegrafi/