Kina lajmëroi tarifa për 106 produkte të tjera amerikane këtë javë, një lëvizje që shton shqetësimet për luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Dita kur këto tarifa do të bëhen efektive do të bëhet publike më vonë, megjithatë, Ministria e Tregtisë në Kinë deklaroi se do të shënjestrojë mbi 50 miliardë dollarë produkte amerikane çdo vit.
Tarifa prej 25 për qind e importeve amerikane përfshin produkte të tjera si mishi i viçit, makinat, lëngu i frutave, cigarët, etj., përcjell Telegrafi.
Kjo kundërpërgjigje vjen në më pak se 24 orë pasi presidenti Donald Trump shpalosi një listë të importeve kineze që administrata synon të shënjestrojë, me qëllim përfundimin e praktikave të padrejta tregtare. Sektorët që përfshihen në produktet e tarifuara nga Trump përfshijnë robotikën, teknologjinë e informacionit, teknologjinë e komunikacionit dhe aeronautikën. /Telegrafi/