Vinçat kinezë të përdorur në portet amerikane janë instaluar me pajisje komunikimi që mund të përdoren për spiunazh, sipas një hetimi të Kongresit.
Më shumë se 12 modemë që mund të përdoren nga distanca janë gjetur në vinçat e prodhuar në Kinë.
Disa nga ta janë ndërtuar nga Shanghai Zhenhua Heavy Industries (ZPMC), një prodhues kinez në pronësi të shtetit, i cili në SHBA po cilësohet si një rrezik sigurie, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Modemët janë përdorur për funksione operacionale si aftësia për të monitoruar dhe gjurmuar mirëmbajtjen e vinçave nga distanca.
Megjithatë, disa porte amerikane nuk i kishin kërkuar këto funksione.
Një port u tha ligjvënësve amerikan se e dinin për ekzistencën e modemëve, por nuk e dinin se për çfarë përdoreshin.
Politikani nga Tenessee, Mark Green, tha se ai beson se Kina është një kërcënim i madh për sigurinë e SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara e kanë anashkaluar qartë këtë kërcënim për një kohë shumë të gjatë”, tha Green, duke theksuar se Kina po shfrytëzon çdo mundësi për të ndikuar në infrastrukturën kritike të SHBA-së duke përfshirë sektorin detar.
Për vinçat në pronësi kineze ka pasur shqetësime publike që nga viti 2021, andaj administrata Biden ka njoftuar se 20 miliardë dollarë (afro 20 miliardë euro) do të investohen për të zëvendësuar vinçat kinezë me ata amerikanë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Pretendimet se vinçat kinezë përbëjnë rrezik sigurie janë konsideruar si “paranojë dhe abuzim i fuqisë kombëtare për të penguar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar” nga një përfaqësues i Ambasadës Kineze në Uashington. /Telegrafi/