Sot fillojnë fluturimet testuese në aeroportin e ri ndërkombëtar në Pekin. Aeroporti “ylli i detit” që gjendet 46 kilometra në jug të qendrës së Pekinit, synon ta fitojë epitetin e aeroportit më të madh në botë.
Ky aeroport shtrihet në një hapësirë prej 700 mijë metra katrorë që i bie të jetë sa rreth 100 fusha të futbollit. Brenda aeroportit do të ketë peizazhe të zbukuruara, kurse terminalet dhe hapësirat do të jenë të ndara për pasagjerët lokalë si dhe ata ndërkombëtarë, transmeton Telegrafi.
Aeroporti ka katër pista dhe brenda vitit do të realizojë 620 mijë fluturime. Planifikohet që në një vit të shërbehen 100 milionë pasagjerë si dhe 4 milionë valixhe të transportohen.
Aeroplanët e aviokompanive kineze do të aterrojnë në aeroport, kurse fluturimet testuese do të zgjasin rreth një orë. Katër pistat e aeroportit gjatë javës së kaluar kanë kaluar inspektimet.
Terminalin që e ka dizajnuar Zaha Hadid, ka 700 mijë metra katrorë dhe do të ndahet për pasagjerët lokalë dhe për fluturimet ndërkombëtare. Sa i përket hapësirës do të jetë aeroporti më i madh në botë. /Telegrafi/