Kina po pezullon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në një sërë fushash, duke përfshirë dialogun midis komandantëve të lartë ushtarakë dhe bisedimet për klimën, si hakmarrje për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Tajvan, tha Pekini.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës njoftoi gjithashtu se po pezullon bashkëpunimin me Uashingtonin për parandalimin e krimit ndërkufitar dhe trafikut të drogës dhe për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.
Në total, Pekini miratoi tetë masa të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Në një deklaratë menjëherë pasi Pelosi u largua nga Japonia, Kina anuloi një takim të planifikuar dypalësh mbi mekanizmin ushtarak-detar të sigurisë.
Pekini njoftoi veçmas se do të vendoste sanksione kundër Pelosit dhe familjes së saj të ngushtë për veprimet e tyre “të mbrapshta” dhe “provokuese”.
Për shkak të vizitës së Pelosit në Tajvan, të cilin Kina e konsideron territorin e saj, Kina nisi stërvitje ushtarake të një përmasash të paprecedentë në ujërat dhe hapësirën ajrore përreth Tajvanit. /Telegrafi/
The Ministry of Foreign Affairs announces countermeasures in response to Nancy Pelosi’s visit to Taiwan.https://t.co/OkBTHgECiG pic.twitter.com/0WE6JeBAsx
— Hua Chunying 华春莹 (@SpokespersonCHN) August 5, 2022