Autoritetet kineze kanë udhëzuar Odën Ekonomike Amerikane në qytetin jugperëndimor të Chengdus që të ndërpresë veprimtarinë.
Oda ka njoftuar anëtarët se, në përputhje me ligjet dhe rregulloret kineze, ajo duhej të ndërpresë operacionet dhe “të mos kryej më asnjë aktivitet në emër të Odë Ekonomike Amerikane në Kinën Jug-Perëndimore”, përcjell Telegrafi.
Vendimi nuk ka dhënë asnjë arsye specifike se pse Oda, e cila promovon tregtinë dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe rajonit, ishte udhëzuar të ndërpriste veprimtarinë.
“Ministria kineze e Punëve Civile (MCA) duket se po zbaton një rregull që vendet të mbajnë vetëm një odë ekonomike zyrtare në vend”, tha kryetari i Odës, Benjamin Wang.
Oda Ekonomike Amerikane në Chengdu nuk është e lidhur me Odën Ekonomike Amerikane në Kinë.
Mbyllja e Odës vjen pak më shumë se një vit pasi Kina mbylli Konsullatën amerikane në Chengdu. /Telegrafi/