Site icon Telegrafi

Kina kundër luftës tregtare me SHBA-në

Kryeministri i Kinës, Li Keqiang, duke shtuar shpresat se Pekini dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mund të shmangin luftën tregtare, tha se Kina do të hapë më tej ekonominë, në mënyrë që firmat kineze dhe ato të huaja të mund të konkurrojnë në mënyrë të drejtë.

Shqetësimet mbi luftën tregtare u nxitën nga tarifat e lajmëruara nga Donald Trump më herët gjatë muajit.

“Shpresoj se Kina dhe Shtetet e Bashkuara të veprojnë në mënyrë racionale dhe të shmangin një luftë tregtare”, tha Li.

Këto komente mund të tërhiqen nëse Washingtoni ndjek planet e reja për tarifa në mbi 60 miliardë dollarë mallra kinezë çdo vit.

Pa dhënë shumë detaje, Li Keqiang tha se Kina do të përmirësojë aksesin në sektorët e shërbimeve dhe manifakturës duke ulur më tej tarifat në importe, përfshirë ato për barnat që trajtojnë kancerin.

“Ekonomia e Kinës është bërë shumë e integruar me botën sa që mbyllja e dyerve në Kinë do të frenonte zhvillimin e vendit. Kina synon që firmat e huaja, të brendshme dhe ato me çfarëdolloj strukture të zotërimit, të kenë mundësinë që të konkurrojnë nën të njëjtat rregulla të lojës”, tha kryeministri kinez, përcjell Scan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Pekini i detyron kompanitë amerikane që të transferojnë pronën intelektuale në Kinë, si kosto e të bërit biznes atje.

Megjithatë, zyrtarët kinezë insistojnë se transferimi i teknologjisë nuk është kusht për të fituar qasjen në treg. /Telegrafi/

Exit mobile version