Mes faktorëve që mund të nxisin një frenim të marshimit në tregun e naftës, nuk është vetëm nafta argjilore, por edhe Kina. Vetëm tre ditë përpara se të hyjë në fuqi marrëveshja e shumëpritur mes prodhuesve për shkurtimin e prodhimit, Pekini zyrtar ka ndërprerë ndihmën ndaj rafinerive të pavarura.
Në vitin 2016, këto rafineri ishin shtysa kryesore në mbështetje të kërkesës globale për arin e zi. Këto kompani nuk kanë marrë ende asnjë kuotë eksportesh për produktet e naftës për vitin e ardhshëm.
Viti 2016 ka qenë viti i parë që këto kompani u autorizuan për tu furnizuar drejtpërdrejtë me naftë, duke u bërë përgjegjëse në masën 90 për qind për rritjen e importeve kineze.
Kontributi nuk është i vogël, pasi gjatë 11 muajve të parë të vitit Pekini ka importuar 7.5 milionë fuçi në ditë, me një rritje prej 14 për qind në krahasim me
2015-ën, ose 925 mijë fuçi në ditë. Licencat për importimin e naftës, të paktën për momentin nuk janë hequr.
Pekini është treguar dorështrënguar edhe me 4 kompanitë më të mëdha shtetërore, duke i`u kufizuar kuotat e eksportit. Në vitin 2016, Kina rriti eksportet e naftës në tregjet ndërkombëtare me 35 për qind. /Telegrafi/