Site icon Telegrafi

Kina kritikon SHBA-në për ekzagjerim të fuqisë bërthamore kineze

Pekini ka kundërshtuar spekulimet lidhur me synimet e zhvillimit të Kinës dhe zmadhimin e fuqisë bërthamore kineze nga pala amerikane. Komentet u bënë të dielën nga zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Ren Guoqiang, pas publikimit të shtunën të një raporti nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes lidhur me gjendjen e armëve bërthamore në botë. Në dokument theksohen rreziqet bërthamore nga katër vende: Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani, shkruan CRI.

Lidhur me këtë, zëdhënësi Guoqiang u shpreh se Kina ndjek me vendosmëri rrugën e zhvillimit paqësor dhe zbaton pa lëkundje një politikë mbrojtëse dhe jo agresive. Pala kineze këmbëngul në parimin që kurrë nuk do të jetë e para që përdor armë bërthamore dhe ka premtuar në mënyrë të qartë se nuk do të përdorë dhe as nuk do të kërcënojë të përdorë armë bërthamore kundër vendeve ose rajoneve pa armë bërthamore.

“Ne dëshirojmë që pala amerikane të heqë dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë, duke mbajtur si duhet përgjegjësinë e vet për çarmatimin bërthamor dhe t’i shohë çështjet e mbrojtjes kombëtare të Kinës nga një këndvështrim objektiv, në mënyrë që marrëdhëniet ushtarake kino-amerikane të shërbejnë si faktor për stabilitetin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për të ruajtur së bashku paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin në botë”, tha zëdhënësi Guoqiang. /Telegrafi

Exit mobile version