Telegrafi

Kina kërkon nga Kanadaja lirimin e shefes së financave të Huawei

Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës, ka thirrur në një bisedë ambasadorin e Kanadasë, John McCallum, nga i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shefes së financave të Huawei, Meng Wanzhou.

Sipas një njoftimi, thuhet se shteti kinez kundërshtoi ashpër arrestimin e Wanzhou, për të shtuar se veprimi në fjalë do të ketë “pasoja” nëse ajo nuk lirohet.

Njoftimi bënë të ditur se zëvendësministri i Kinës, Le Yucheng, ka thënë gjatë takimit se Wanzhou është arrestuar me kërkesë të SHBA-ve dhe se qëndrimi i Kanadasë është “i paarsyeshëm dhe i papranueshëm”.

Lexo po ashtu SHBA kërkon ekstradimin e shefes financiare të Huaweit

“Kina i bën apel Kanadasë që menjëherë të lirojë personin e arrestuar, dhe të respektoj të drejtat e saj ligjore dhe legjitime, në të kundërtën, Kanadaja do të duhet të përballet me një përgjegjësi të plotë për pasojat serioze të cilat do t’i shkaktojë”, ka thënë Yucheng.

Shefja financiare e gjigantit kinez të teknologjisë Huawei, u arrestua në Kanada më 1 dhjetor, me kërkesë të SHBA-ve, autoritetet e së cilës e akuzojnë për shkelje të sanksioneve kundër Iranit. /Telegrafi/