Qeveria e Kinës “në mënyrë sistematike i ka shkatërruar” përpjekjet për spiunim të agjencisë CIA në Kinë, prej fundit të vitit 2010, duke i vrarë ose burgosur së paku dhjetëra burime sekrete të CIA-s, në vitet 2011 dhe 2012, ka raportuar sot e përditshmja New York Times.
Duke i cituar 10 zyrtarë të tashëm dhe të dikurshëm amerikanë, që kanë folur në kushte të anonimitetit, gazeta e ka përshkruar këtë situatë si njërin prej lëshimeve më të mëdha të inteligjencës në disa dekada.
Disa hetues kishin besuar se ekzistonte një spiun në mesin e agjencisë amerikane, CIA, derisa të tjerët kanë shfaqur dyshime se kinezët kishin depërtuaar në sistemin e fshehtë të CIA-s, që përdoret për komunikim me burimet e veta të jashtme.
Në raport, gazeta thekson se kjo çështje mbetet e pazgjidhur.
Sipas dy zyrtarëve të lartë amerikanë, prej 18 e deri në 20 burime të CIA-s në Kinë, janë vrarë ose burgosur, raporton New York Times.