Site icon Telegrafi

Kina ka gati spitalin e parë për të prekurit nga coronavirusi – 48 orë pas fillimit të punimeve, ndërtesa është gati për pacientët

Është hapur e para nga qendrat mjekësore emergjente të Kinës që janë ndërtuar për të kontrolluar përhapjen e coronavirusit që tashmë ka vrarë më shumë se 100 njerëz.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, punëtorët dhe vullnetarët në qytetin Huanggang arritën të përfundonin punimet për 48 orë, për të hapur dyert në Qendrën Mjekësore Rajonale Mountain Dabie, e cila do të sigurojë trajtim për rreth 1.000 pacientë.

Ky objekt, një nga katër bazat e trajtimit të urgjencës që u krijuan nga autoritetet, u shndërrua në të tillë, nga një ndërtesë e zbrazët.

Objektet e tjera në afërsi të Wuhan – epiqendra e shpërthimit të viruseve – janë duke u ndërtuar nga toka-lart në një metodë të ngjashme me atë të përdorur për të luftuar shpërthimin e SARS, në vitin 2003.

Autoritetet e qytetit Huanggang thanë që puna që përfundoi kaq shpejt ishte falë përpjekjeve të kombinuara të stafit të ndërtimit, oficerëve të policisë dhe ndërmarrjeve të shërbimeve.

Kjo ndërtesë e re është në Rrethin Huangzhou të qytetit dhe fillimisht ishte menduar të vepronte si një degë krejt e re e Spitalit Qendror Huanggang.

Ajo fillimisht ishte planifikuar të hapet në maj, sipas qeverisë lokale.

Punimet për rindërtimin filluan të shtunën dhe deri të hënën ata kishin instaluar ujin, energjinë elektrike dhe internetin dhe ishte i gatshëm për ardhjen e pacientëve.

Huanggang është rreth 75 kilometra në jug perëndim të Wuhan, dhe ka qenë një nga vendet që është prekur më shumë nga virusi.

Qyteti ka një popullsi prej rreth 7.5 milionë banorë dhe hyri në bllokim të enjten e kaluar, në të njëjtën ditë kur Wuhan gjithashtu u mbyll.

Pamjet e dronit u shfaqën dje që tregojnë përparimin që tashmë po bëhet në një spital tjetër në Wuhan, një tjetër nga objektet që po ndërtohet nga e para, pas vetëm katër ditësh pune.

Ky spital pritet të fillojë marrjen e pacientëve brenda 3 shkurtit.

Sikurse këto dy projekte, një spital tjetër është duke u ndërtuar në Wuhan dhe një i treti në Zhenzhou në Provincën Henan.

Në total, kriza e përshkallëzuar dhe bllokimet si rezultat i saj kanë çuar në “vendosjen në karantinë” të 56 milionë njerëzve.

Ndërkohë, sipas raportimeve, 106 persona, të gjithë nga Kina, kanë vdekur deri më tani. 4592 njerëz kanë raportuar sëmundjen e tyre, edhe pse numri – shkencëtarët besojnë – e njerëzve të infektuar mund të jetë shumë më i lartë. /Telegrafi/

Exit mobile version