Site icon Telegrafi

Kina i hakmerret SHBA-së për tarifat tregtare

Kina ka vendosur tarifa të reja ndaj 128 produkteve amerikane në vlerë të 3 miliardë dollarëve, si përgjigje për tarifat amerikane në çelik dhe alumin.

Ministria e Financave në Kinë ka njoftuar më 2 prill se në produkte përfshihet, derri i ngrirë, disa pemë dhe vera dhe se tarifat do të fuqizohen menjëherë.

Komisioni për Tarifa në Doganën e Kinës ka thënë se tarifa prej 25 për qind vlen për tetë produkte të importuara nga SHBA-ja, ndërsa 15 për qind vlen për 120 produkte të tjera.

Më 13 mars, Pekini pati njoftuar se është duke konsideruar vënien e tarifave, duke rritur frikën për luftë tregtare globale.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar më 22 mars se do të vendosen tarifat për importet e çelikut dhe aluminit, hap që ka zemëruar shumë aleatë të SHBA-së.

Sidoqoftë Trump ka përjashtuar përkohësisht nga këto tarifa, Bashkimin Evropian, Australinë, Argjentinën, Brazilin, Kanadanë, Meksikën dhe Korenë Jugore.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se tarifat janë të nevojshme për të ulur deficitin tregtar që SHBA-ja ka me partnerët tregtarë, sidomos me Kinën.

Vitin e kaluar deficiti i SHBA-së me Kinën ka qenë 375 miliardë dollarë. /Telegrafi/

Exit mobile version