Site icon Telegrafi

Kina – fuqia e radhës që do ta pësojë nga talebanët

Nga: Matthew Henderson / The Telegraph (titulli origjinal: Britain, Russia and America came to grief on the Afghan frontier. Beijing is following in their footsteps)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kurrë nuk kanë përparuar fuqitë që zgjedhin të jenë pjesë e lojës së madhe në kufirin midis Pakistanit dhe Afganistanit. Pavarësisht guximit të gjeneralëve dhe trurit të agjentëve politikë, planet e menduara në detaje – qofshin britanike në shekullin XIX, ruse në shekullin XX apo amerikanë në shekullin XXI – në përgjithësi kanë përfunduar në katastrofë dhe tërheqje. Tashti, duket se Kina – e cila prej kohësh e ka trajtuar Pakistanin si klient dhe përfaqësues të saj në shtytjen për një rol përcaktues rajonal, së fundmi edhe përmes Iniciativës Brez dhe Rrugëpo përballet me të njëjtin fat. Si ka ndodhur kjo?

Me shekuj të tërë datojnë ambiciet e Kinës për të kontrolluar dhe dominuar Azinë Jugore. Rivaliteti i saj me Indinë e bëri më tërheqës opsionin e Pakistanit për ndërtimin e varësive ndaj saj, ndërkohë që regjimet kineze me plot vetëbesim kanë shtrënguar kontrollin e tyre në Sinkiang dhe kanë shikuar më në perëndim për ta përhapur fuqinë dhe ndikimin. Me zgjerimin global të fuqisë ekonomike të Kinës, erdhi dëshira për ndikim ushtarak jo vetëm në konkurrencë me Indinë, por me Perëndimin në tërësi. Nëse Kina do të mund të vendoste një bazë detare dhe ekonomike në një port pakistanez pranë ngushticës së Hormuzit, kjo do ta hapte një mundësi të rëndësishme në të dy frontet.

Porti Guadar u mendua të jetë kjo pikënisje, si xhevahir në kurorën e brezit dhe rrugës aziatike dhe si një hinkë e kontrolluar nga Kina për tregti jo vetëm nga fuqia e saj ekonomike, por edhe nga aleatët e saj në Azinë Qendrore. Udhëtimi nga Kina përmes ngushticës së Malakës në gji është rreth 10 mijë kilometra; manovrimi nga Guadari shkurton 7 500 kilometra udhëtim, dhe gjithashtu krijon një rrezik të madh gjeostrategjik. Por, ç’të themi për rrugën tokësore prej 2 500 kilometrave nga Ksinjangu në det, përmes Balokistanit, duke kaluar nëpër kufirin afgan ku nuk sundon ligji?

Anashkalimi i shtypjes së Pekinit ndaj pakicave islamike në Sinkiang, mund të arsyetohet përmes sistemit politik jofunksional pakistanez që është i mbërthyer nga borxhet. Megjithatë, nuk mungojnë luftëtarët në talibanët të Pakistanit që janë të gatshëm të marrin armët në mbështetje të vëllezërve të tyre ujgurë. Së bashku me menaxhimin e paaftë të rezistencës etnike të Pakistanit në Balokistan dhe natyrën qartësisht neokoloniale të marrëdhënieve midis Pekinit dhe Islamabadit, ky korridor ekonomik është futur në vijën e vërtetë të zjarrit.

Kanë pasuar sulmet vdekjeprurëse ndaj inxhinierëve kinezë në infrastrukturë, pavarësisht se ushtarët pakistanezë janë ngritur në këmbë për t’i mbrojtur ata. Veprimet e egra kundër terrorizmit në Balokistan, kanë dështuar në mbrojtjen e kinezëve në një ambient të pakënaqësisë së madhe midis grupeve lokale, të cilët praninë e tyre e shohin si përvetësim të atdheut. Planet e sigurisë së Pekinit janë krejtësisht jashtë mundësive të tyre.

Gjërat edhe më shumë mund të përkeqësohen. Javën e kaluar, një komandant taliban pakistanez njoftoi se nëse nuk paguhet një “taksë” prej pesë për qind për Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan, projekti masiv i infrastrukturës që lidh Sinkiangun me detin do të “shkatërrohet” – së bashku me punëtorët kinezë dhe pajisjet e tyre.

Historia bën me dije për nevojën për kujdes. Në vitin 1841, William Macnaghten – agjenti politik britanik në Kabul – vendosi të shkurtojë “subvencionet” (ryshfetet) që u paguheshin militantëve vendas. Menjëherë pas kësaj, atij iu pre koka, kaos pasoi dhe filloi tërheqja e parë britanike nga Afganistani. Duket se “Ëndrra e Kinës” e shumëpërfolur po kthehet në një makth të njohur – një makth që mund të përfundojë gjithashtu në një varrezë të palavdishme imperialiste. /Telegrafi/

 

Exit mobile version