Site icon Telegrafi

Kina “e nervozuar” paralajmëron Nancy Pelosin të mos e vizitojë Tajvanin

Zëdhënësi i qeverisë kineze ka paralajmëruar SHBA-në për “pasojat” nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi ndjek një plan të supozuar për të vizituar ishullin e diskutueshëm të Tajvanit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian e paralajmëroi Pelosin të martën që të mos vazhdonte një vizitë të mundshme në Tajvan në përgjigje të një raporti nga Financial Times që pretendonte se demokratja e Kalifornisë po planifikonte të vizitonte ishullin në gusht.

Pelosi do të ishte zyrtari më i lartë amerikan që do të vizitonte territorin që kur ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, organizoi një ndalesë tre-ditore në vitin 1997.

“Ne kundërshtojmë me vendosmëri çdo formë të ndërveprimit zyrtar midis SHBA-së dhe rajonit të Tajvanit”, citohet të ketë thënë Zhao gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp të martën.

“Nëse Pelosi viziton Tajvanin, kjo do të shkelte seriozisht parimin e një Kine dhe përcaktimet në tre komunikatat e përbashkëta Kinë-SHBA dhe do të dëmtonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”.

Megjithëse qeveria aktuale kineze nuk e ka qeverisur kurrë Tajvanin, ajo pretendon sovranitetin mbi ishullin, të cilin e konsideron pjesë të territorit të saj sipas parimit të saj “një Kinë”.

Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës mbi Tajvanin janë rritur që kur presidenti Joe Biden mori detyrën, ndërsa banorët e ishullit kanë shprehur shqetësime në rritje për statusin e tyre pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /Telegrafi/

Exit mobile version