Telegrafi

Kina demonstron fuqinë me qindra anije dhe nëndetëse: Jemi të gatshëm për luftë të papritur dhe brutale (Foto/Video)

Marina kineze ka mbajtur një ushtrim të madh ushtarak në Detin e Kinës Lindore, ku janë përdorur qindra anije luftarake dhe nëndetëse nga tri flotat.

Në ushtrime kanë marrë pjesë flotat nga Deti I Kinës Lindore dhe Jugore, të cilat kanë demonstruar aftësitë ofansive dhe defansive të forcave detare kineze, transmeton Telegrafi.

“Qëllimi i ushtrimit është përmirësimi i intensitetit, saktësisë, stabilitetit dhe shpejtësisë së trupave në kushte ekstreme. Lufta në det, është e bazuar në teknologjinë e informacionit, është e papritur, brutale dhe jetëshkurtër, por që kërkon tranzicion të shpejtë në qëndrim luftarak, përgatitje të shpejtë dhe efikasitet të lartë gjatë sulmit”, thuhet në një deklaratë të marinës kineze.

Trupat dhe anijet e përfshira në ushtrim ishin ndarë në dy ekipe, atë të kuq dhe të kaltër. Ekipi i kuq ka perfeksionuar artin e sulmit, derisa i kaltri ka ushtruar se si duhet kryer kundërsulme me raketa dhe silurë.