Site icon Telegrafi

Kimetja, nëna e katër fëmijëve, i frikësohet tragjedisë si ajo e Xhenetës

Kimete Mazreku thotë se një fat i njëjtë sikurse familjen Gashi po e pret edhe familjen e saj, në rrugën “Fehmi Lladrovici”, numër 57, në Prizren, ku ajo jeton me katër fëmijët dhe burrin e saj të sëmurë.

Tani, pas rastit që ndodhi me Xheneta Gashin, vajzën trevjeçare që vdiq nga rrënimi i shtëpisë së vjetër, familjes së Kimetës i është shtuar frika se kjo shtëpi mund të rrënohet nga moment në moment dhe të zërë të gjallë familjarët.

“Do ta lusja këdo që ka shpirt njeriu të vijë e të shoh rrezikun dhe të shoh zemrën time të përvuajtur”, shprehet ajo.

Nëna e re dhe e papunë Kimete Mazreku, tregon se tashmë katër fëmijët mund t’i zërë të gjallë shtëpia e shkatërruar, e cila nuk e përballon tutje vjetërsinë. Ajo kërkon ndihmën e humanistëve që këta fëmijë në Prizren të bëjnë një jetë si edhe të tjerët, të së paku të kenë një banim të sigurt e pastaj edhe ushqim për të ngrënë.

Bashkëshorti i sëmurë nuk mund të kujdeset për familjen Kësaj familje i mungojnë gjërat më elementare.

“Po të mos ishin ndihmat që na sollën bamirësit për muajin e shenjtë të Ramazanit do të vdisnim për bukën e gojës”, shprehet ajo teksa shton se problemin kryesor e ka se si t’i strehojë këta fëmijë.

Aty ku shpresa shuhet çdo ditë, Zoti mban në jetë katër fëmijë dhe nënën e tyre bashkë me babanë, i cili ka një mori sëmundjes e mbi të gjitha ajo më e vështira është sëmundja e zemrës. Sy të tulatur jo nga pagjumësia, por nga uria kanë ata fëmijë, që posa i sheh njeriu fillon të ndihet keq. Duart e vogla të fëmijëve lëvizin mundimshëm nga pafuqia. Fytyrat e zbehta nuk shfaqin asnjë lloj emocioni.

Drama e kësaj familje ngjan me ato historitë që përsëriten pa ndalim, ndërsa fati i jetës nuk u ndryshon për të mirë.

Kimete Mazreku jeton prej disa vitesh me bashkëshortin, Fatonin e sëmurë dhe të ëmën e tij të vjetër që ka nevojë shumë për ilaçe. Kimetja thotë se nuk ka ditë që nuk qan për fatin e saj të keq. Buka është ushqimi i tyre i zakonshëm, por shpesh edhe ajo u mungon. Familja jeton në një shtëpi të vjetër, e cila siç deklaron Kimetja tashmë kanë marrë vendimin që ta lirojnë atë.

“Pas rastit të fundit që ndodhi në Prizren, jetojmë çdo ditë me frikë se do të vdesim. Dua të dalë sa më parë nga këtu sa nuk m’i ka zënë shtëpia këta fëmijë të vegjël”, shprehet Kimejta, shkruan Kosova Sot.

Të gjithë ata që duan ta ndihmojnë këtë familje këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit: 049 719 515.

Exit mobile version