Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se, shqiptarët udhëhoqën botën në hapjen e vendit të tyre për sa më shumë afganë të ishte e mundur.
E pranishme në aktivitetin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe Michigan State University (MSU), ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Kim u shpreh se SHBA-të dhe Shqipëria kanë punuar së bashku për t’i dhënë përparësi arsimit, i cili ka qenë edhe më i rëndësishëm në kohë pasigurie dhe krizash.
“Është kënaqësi e madhe që të jem me ju sot për të festuar 2 gjëra. Festojmë lidhjen e veçantë që lidh popujt shqiptarë, amerikanë dhe afganë si dhe rritjen dhe fuqizimin e njëri-tjetrit”, ka shtuar Kim.
“Të gjithë kemi parë të tmerruar teksa shpërtheu dhuna në gjithë Afganistanin. Si shumë të tjerë, 12 studiues afganë të projektit për kërkimin dhe risinë, dhe familjet u detyruan të largoheshin papritur nga atdheu i tyre. Shqiptarët natyrisht udhëhoqën botën në hapjen e vendit të tyre për sa më shumë afganë të ishte e mundur, duke na treguar të gjithëve ne sërish se çfarë do të thotë të jesh një popull i nderuar. Çdo të thotë të jesh dashamirës. Nuk kam për ta harruar kurrë mikpritjen dhe humanizmin që populli shqiptar tregoi në ato ditë. Këtë nuk kanë për ta harruar as njerëzit që ju ndihmuat”, theksoi Kim.
Kjo, shtoi Kim, “nuk është vetëm thjeshtë për t’i dhënë vlerësim një personi, një agjencie apo një grupi, por është një vlerësim për të gjithë popullin shqiptar. Është meritë e të gjithë popullit. Ajo që qeveria juaj bëri në emër të vendit tuaj nuk ishte diçka që u bë për shkak të llogaritjeve apo politikave, por është diçka që u bë për shkak të karakterit shqiptar. Ju e bëtë sepse kjo është ajo që jeni dhe bota ju ka parë me admirim dhe ne duhet të ndjekim shembullin tuaj”.
“Populli shqiptar edhe njëherë po vërteton, dëshmon, lidershipin e tij në nivel global teksa drejton përgjigjen globale për dënimin e pushtimit rus të Ukrainës, nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ose mbështetjen e përpjekjeve brenda NATO-s, OSBE-së, marrëdhënieve dypalëshe ndaj këtyre akteve të tmerrshme”, theksoi Kim.
“Falë përpjekjeve të të gjithëve këtu sot, qeveria e SHBA, qeveria shqiptare, Universiteti Shtetëror i Michiganit dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, sot jemi këtu për t’u siguruar që ata që kanë ardhur nga Afganistani do të vazhdojnë studimet e tyre në SHBA, njësoj sikurse i vazhduan në Tiranë. Dhe përtej kësaj, për t’u siguruar që studiuesit në Shqipëri dhe në Amerikë do të kenë mundësi të punojnë së bashku më afër në mënyrë që të mësojnë njëri-tjetrin, por gjithashtu që të ndajnë me njëri-tjetrin pikat e tyre të forta”, u shpreh ambasadorja Kim.
“Secili që është këtu është vërtet ilustrues i partneritetit të fortë mes SHBA-së dhe Shqipërisë, dhe ne punojmë sëbashku drejt një qëllimi të përbashkët në mënyrë që të mund t’u përgjigjemi situatave të vështira”, shtoi Kim.
Duke falënderuar Universitetet dhe ekipet e USAID në Kabul dhe Tiranë, Kim theksoi se, ky program masteri i posaçëm për studiuesit afganë të zhvendosur në Shqipëri, “ilustron përkushtimin e USAID dhe Universitetit Shtetëror të Michiganit ndaj këtyre studiuesve, si dhe profesionalizmin e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe të qeverisë shqiptare”.
“Sot ne festojmë jo vetëm suksesin e këtyre studiuesve të përkushtuar , por edhe një partneritet të ri mes dy Universiteteve kryesore në SHBA dhe në Shqipëri. Ky partneritet midis Universitetit Shtetëror të Michiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, do të ndërtojë ura të reja midis pedagogëve dhe studiuesve të kërkimit nga të dy vendet dhe do të hapë mundësi të reja për kërkime të përbashkëta, shkëmbim njohurish dhe shkëmbime burimesh”, tha Kim. /Telegrafi/