Pritshmëritë amerikane dhe koreanoveriore për samitin mes Donald Trump dhe Kim Jong-un duket se janë në një trajektore përplasjeje, pasi lideri i Koresë komuniste u zotua se do të mbajë arsenalin bërthamor të vendit për breza me radhë.
Gjatë fundjavës, Trump cilësoi si fitore diplomatike lajmërimin gjatë fundjavës së Koresë së Veriut se ndali testet bërthamore dhe mbylli një bazë bërthamore. Në një mesazh në Twitter, Trump shkroi se pa ofruar SHBA-ja asgjë, ata kanë rënë dakord për çarmatosjen bërthamore. Por, ndërsa orët kalojnë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se interpretimi amerikan dhe koreano-verior i çarmatosjes bërthamore është shumë i ndryshëm.
Vërtetë Koreja e Veriut tha se ndali testet dhe mbylli një bazë bërthamore, por kjo u bë sepse kishte përfunduar punën për ndërtimin e një arsenali të fortë bërthamor. Gjatë një takimi të partisë, Kim tha se testimet nuk janë më të nevojshme sepse mbushjet bërthamore janë vendosur tashmë mbi raketa.
“Arsenali bërthamor i Koresë së Veriut, një shpatë e fuqishme për mbrojtjen e paqes, është një garanci për brezat e ardhshëm. Një siguri për pasardhësit tanë që të kenë jetë dinjitoze dhe të lumtur”, deklaroi Kim Jong-un.
Analistët thonë se tashmë në Shtëpinë e Bardhë duhet të jenë habitur jo pak kur kuptuan se çarmatosja bërthamore nuk është ajo që mendonin. Nuk ka dyshim se ekipi Trump mezi po pret të publikojë një fitore në këtë çështje, prandaj duhet të jetë i gatshëm të bëjë disa hapa pas dhe të reduktojë objektivat. /tch/