Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, u shpreh se ndiente një “dhimbje të pamasë” pasi vizitoi të plagosurit e një aksidenti me autobus të ndodhur në vendin e tij, ku humbën jetën 32 turistë.
Pasi shprehu keqardhjen e tij, diktatori vizitoi disa prej të mbijetuarve të aksidentit, të cilët qëndronin në shtretërit e tyre në spital, madje disave u përkëdheli edhe duart.
Veprimet e tij u komentuan me cinizëm në perëndim, ku u tha se Kimi po përpiqet t’i tregojë botës një anë më të butë dhe po vepron më tepër si një udhëheqës i zakonshëm.
Raportimi për aksidentin ishte një lajm i pazakontë për agjencinë koreanoveriore të lajmeve rreptësisht të kontrolluar nga shteti, e cila zakonisht raporton vetëm lajme pozitive për udhëheqësin e saj.
Aksidenti ndodhi të dielën, kur një autobus ra nga një urë në provincën e Hwanghae, në Veri.
Katër koreanoveriorë mbetën të vdekur, ndërsa dy kinezë të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Sipas Agjencisë Koreanoveriore të Lajmeve Kim tha se “aksidenti i papritur i ka sjellë një hidhërim të madh në zemrën e tij dhe se ai nuk e kontrollon dot dhimbjen kur mendon për familjet e tronditura për humbjen e të afërmve të tyre”.
Turistët kinezë përbëjnë 80 për qind të vizitorëve në Korenë e Veriut, sipas institutit koreanojugor, Korea Maritime Institute. /Shqiptarja/