Telegrafi

Kim Jong-un preu shiritin e kuq – publikohen detajet dhe pamjet e ‘qytetit utopik’ në Samjiyon të Koresë së Veriut

Koreja e Veriut ka hapur zyrtarisht një qytet të ri, të cilin mediumi shtetëror po e quan “mishërimin e qytetërimit modern”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë udhëheqësi Kim Jong-un ai që preu shiritin e kuq në Samjiyon afër malit Paektu në veri – duke përshëndetur një nga projektet më të rëndësishëm të vendit.

Media shtetërore KCNA tha që qyteti – i cili është në gjendje të strehojë 4,000 familje – krenohet me apartamente të reja, një shpat skish dhe një stadium midis hapësirave të tjera.

Sidoqoftë, puna e detyruar thuhet se ka qenë pjesë në ndërtimin e Samjiyon.

Dhe qyteti – ndonëse i lavdëruar nga mediat shtetërore – do të “krijojë një diferencë më të madhe” në Korenë e Veriut, ku shumica e njerëzve jetojnë në kushte të këqija.

Sipas organizatës joqeveritare Komiteti Kombëtar për Korenë e Veriut, shumë “vuajnë nga mungesa e ushqimit, karburantit, energjisë elektrike, ujit të rrjedhshëm dhe nevojave të tjera”.

Si duket qyteti?

Sipas Colin Zwirko, një korrespodent në faqen e specializuar të NK News, qyteti është një “model” i llojit të vet.

“Siç duket tani, ai [ka] fasada të këndshme të pastra dhe ndërtesa unike, të dizajnuara në mënyrë ornamentale që nuk do të ngjanin me të vërtetë me asnjë qytet tjetër në Korenë e Veriut”, i ka thënë ai BBC-së.

Zwirko shtoi se qyteti është “mjaft i vogël dhe i ecshëm”, me madhësi rreth 2-3 km në të dy drejtimet.

Kur filloi ndërtimi?

Z. Kim vizitoi qytetin Samjiyon saktësisht dy vjet më parë, ku ai së pari njoftoi një projekt të madh “rindërtimi”.

Por ai thuhet se nuk është ndërtuar saktësisht nga toka lart.

Një qytet ekzistonte para rindërtimit. Disa ndërtesa u rimodeluan, ndërsa shumë të tjera u rrënuan dhe u zëvendësuan me ndërtesa të reja, sipas Zwirko.

Mediat shtetërore raportuan më parë se më shumë se 450 ndërtesa të reja do të ndërtoheshin, përfshirë objektet industriale dhe rekreative.

KCNA tha që qyteti kishte pësuar një “ndryshim drastik”, duke e përshkruar atë si një “qytet utopik nën socializmin”.

Nuk është e qartë nëse dikush është vendosur aty, por qyteti ka qenë më parë shtëpi për disa banorë – megjithëse është gjithashtu e paqartë për sa të tillë. /Telegrafi/