Përmbytjet të cilat u shkaktuan nga shirat në Korenë e Veriut, e kanë shtyrë liderin Kim Jong-un të marrë masa të cilat mund mund të jenë të rrezikshme në vendin e izoluar mes pandemisë së coronavirusit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, rreth 1,500 hektarë fusha orizi janë dëmtuar; përfshirë 730 shtëpi si dhe 179 blloqe strehimi thuhet të jenë shkatërruar që nga fillimi i muajit gusht.
Shirat gjatë sezoneve të “musonit” e kanë dëmtuar përherë Korenë Veriut, për shkak të mungesës së infrastrukturës së saj.
Rreth 15 për qind e tokës pjellore ishte shkatërruar nga përmbytjet në vitet 90-ta, ndërsa vlerësohet se mbi 2 milionë njerëz kishin vdekur asokohe. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe Veriu pretendon se rreth 225 mijë njerëz kanë ndërruar jetë.
Në fillim të këtij muaji, Jong-un vizitoi fshatrat e dëmtuar nga përmbytjet e fundit. Vizitat e tij nuk janë të zakonshme, mirëpo, mund t’i ndihmojë atij në përhapjen e propagandës nga mediet shtetërore. Direktivat e tij mbi situatën e tanishme tërhoqën vëmendjen e vëzhguesve të Koresë Veriut, raporton BusinessInsider, përcjell Telegrafi.
Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane të regjimit (KCNA), Jong-un urdhëroi që t’u shpërndahej grurë banorëve të cilat u përballën me përmbytjet e fundit, ushqimi i cili njëherësh rrjedh nga rezervat speciale të vendit. Regjimi theksoi se asnjë person nuk vdiq në qarkun të cilin e vizitoi ai, megjithëse përmbytje të ngjashme kanë lënë të vdekur dhjetëra persona në Korenë e Jugut dhe në Kinë.
“Është e rëndësishme që njerëzit të cilët u përballen me këto trazira, të furnizohen me shtretër, ilaçe dhe nevoja të tjera”, theksoi KCNA, duke e cituar liderin Jong-un.
“Pasi u furnizuan me grurë, banorët i shprehën mirënjohjet e tyre të përzemërta ndaj liderit”, pohon më tej agjencia.
Masa ia tërhoqi vëmendjen edhe ish-diplomatit të lartë të Koresë së Veriut, Thae Yong Ho, i cili dezertoi vendin dhe fitoi një vend në parlamentin e Jugut, thekson artikulli, përcjell Telegrafi.
Yong Ho i cili ishte zëvendësguvernatori i Veriut në Mbretërinë e Bashkuar, tha se këto rezerva përdoren vetëm në raste të caktuara.
“Unë mendoj se rezervat e grurit të Kim Jong-un mund të përdoren vetëm në raste lufte”, u shpreh ai.
“Kjo do të thotë se situata aktuale e ushqimit në Korenë e Veriut duket se është shumë e vështirë; madje duke marrë parasysh edhe situatën aktuale të pandemisë në vend”, shtoi ai.
“Kim Jong-un dëshiron të dërgojë një lloj sinjali në Kinë, i cili është i vetmi vend që mund të dërgojë ndihma emergjente në Korenë e Veriut”, sipas Yong Ho.
“Në gjysmën e dytë të këtij viti, nëse Kim Jong-un ka nevojë urgjente për ndihma nga Kina, ai nuk mund të kryejë provokime të mëdha ushtarake kundër Amerikës”, theksoi ai.
Ndërkohë, Koreja e Veriut ka deklaruar se vendi e ka nën kontroll situatën e pandemisë duke dhënë shumë pak detaje në lidhje me numrin e të prekurve, pasi deri më tani u raportua për vetëm një rast.
Nisur nga marrëdhëniet tregtare dhe ndaj afërsisë së Koresë së Veriut me Kinën, një ekspert u shpreh se vlerësimi optimist i regjimit është në të vërtet është mjaft i zymtë.
“Kjo pasqyron situatën e rëndë ekonomike të Koresë së Veriut”, potencoi Bruce Klinger, një ish shef i degës së CIA-s në Korenë e Jugut.
“Ajo veçse po vuante nga izolimi për sa i përket botës së jashtme”, u shpreh ai.
Masat e ashpra ndërkohë në përgjigje të pandemisë po e dëmtojnë jetën ekonomike të Veriut, theksoi Klinger, duke shtuar se situata ka të ngjarë të përkeqësohet nga përmbytjet e fundit.
Jong-un theksoi të enjten se vendi nuk do të pranojë asnjë ndihmë të jashtme për t’ia rregulluar vendit rikuperimet nga dëmtimet e përmbytjes, ndërsa do të miratojë masa më të rrepta pranë kufirit. /Telegrafi/