Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, është duke e marrë veten pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe problemeve kardiovaskulare që i kishte, raportojnë mediat jugkoreane, pasi që CNN ditë më parë raportoi se po rrezikohet jeta e liderit verikorean.
Gjithashtu nga Seuli mbërrijnë informacionet se në Korenë e Veriut nuk janë vërejtur ngjarje të pazakonta duke ndodhur këto ditë, transmeton Telegrafi.
“Daily North Korea” medium ky me seli në Seul që e udhëheqin personat që kanë ikur nga Koreja e Veriut, ka publikuar të martën një artikull në të cilën thuhet se Kim po e merr veten pas operacionit të 12 prillit, duke qëndruar në rezidencën e tij në lindje të vendit.
Është raportuar se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar pas konsumimit të pakontrolluar të duhanit dhe mbipeshës – por edhe për shkak të orarit të gjatë të punës.
Fox News duke u thirrur në burim shkruan se Shtëpia e Bardhë nuk ka informacione për gjendjen shëndetësore të Kim. /Telegrafi/