Telegrafi

Kim Jong-Un më në fund shfaqet në publik, merr pjesë në ceremoninë e përfundimit të punimeve të një fabrike

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, është shfaqur në publik për herë të parë pas raportimeve të shumta që gjendja e tij shëndetësore është rrezikuar shumë, pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe problemeve me zemër që i ka.

Kjo është paraqitja e tij e parë në 20 ditët e fundit, kurse siç raportojnë mediat verikoreane ai është parë në qytetin industrial Sunchon gjatë një ceremonie, transmeton Telegrafi.

Mediat jugkoreane raportojnë se Kim ka marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të punimeve në një fabrikë në Sunchon, qytet ky në veri të Pyongang.

“Komanadanti suprem i Republikës Popullore të Koresë, shoku Kim Jong-Un, ka marrë pjesë në ceremoni”, thuhet në kumtesën e lëshuar.

Kujtojmë që prej ditësh nëpër botë kanë qarkulluar lajme që Kim Jong-Un është në gjendje të rëndë shëndetësore, pas intervenimit kirurgjik dhe probleme kardiovaskulare që i ka. E mos prezenca e tij në opinion nxiti dyshime se ai edhe mund të ketë vdekur.

Ndryshe Koreja e Veriut konsiderohet si vendi më i izoluar në botë, dhe raportimet e tilla kanë qenë pothuajse të pamundura të konfirmohen. /Telegrafi/