Telegrafi

Kim Jong-Un mbërrin në Singapor për takimin me Donald Trumpin

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un ka mbërritur në Singapor për samitin e parashikuar me Presidentin amerikan, Donald Trump.

Takimi historik mes dy udhëheqësve do të zhvillohet në ishullin turistik të Sentosës, gjatë së martës. Kjo do të jetë hera e parë që kreu i koresë komuniste do të takohet me një president amerikan në detyrë.

Përpara nisjes, Trump e përshkroi samitin si një “mundësi e artë e vetme” për paqen, teksa tha se të dy ata do të jenë “në një territor të panjohur” në kuptimin e plotë të fjalës. Presidenti amerikan pritet të mbërrijë më vonë gjatë kësaj të diele, shkruan Telegrafi.

Uashingtoni shpreson që takimi të jetë pikënisja e një procesi që do të detyrojë Kim Jong-unin të heqë dorë nga armët bërthamore.

Dy udhëheqësit kanë pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme me ulje-ngritjet e veta gjatë 18 muajve të fundit, duke këmbyer ofendime e duke kërcënuar për luftë, përpara se të ndryshonin gjithçka në mënyrë drastike, për të ndjekur kursin drejt një takimi kokë më kokë.

Dy udhëheqësit do të takohen me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong, përpara samitit mes tyre. /Telegrafi/