Site icon Telegrafi

Publikohen pamjet, Kim Jong-Un në publik pas mungesës prej 20 ditësh

Lideri i Koresë së Veriut, është shfaqur në publik pas 20 ditësh, derisa kishte thashetheme të shumta mbi shëndetin e tij.

Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA raportoi se ai ka marrë pjesë në përfundimin e një fabrike të plehrave në veri të Pyongyang, së bashku me motrën e tij, transmeton Telegrafi.

Në pamjet e shpërndara, Kim u pa derisa buzëqeshte para kamerave, gjatë ceremonisë së prerjes së shiritit, si dhe derisa bashkëbisedonte me zyrtarët, në hapësirat e ndryshme të fabrikës së re. Deri më tani, nuk ka ndonjë konfirmim të pavarur, për vërtetësinë e këtyre pamjeve.

Sipas KCNA, ai ishte i shoqëruar nga motra e tij e vogël Kim Yo-jong, për të cilën shumë analistë thonë se do të merr përsipër udhëheqjen, nëse vëllai i saj papritmas nuk është në gjendje të sundojë më.

Kjo ishte paraqitja e parë publike e Kim që nga 11 prilli, kur ai kryesoi një takim të Partisë së Punëtorëve në pushtet, për të diskutuar coronavirusin dhe riemërimin e motrës së tij, si një anëtare alternative e byrosë së fuqishme politike, si vendimmarrëse të komitetit qendror të partisë. Gjë që e konfirmon rolin e saj themelor, që e ka në qeveri.

Spekulimet për vdekjen e Kim, u rritën pasi ai nuk u paraqit më 15 prill, kur u shënua përvjetori i gjyshit të tij, Kim Il-sung. /Telegrafi/

Exit mobile version