Lideri koreano-veroir, Kim Jong-un, është shfaqur të dielën në televizionin shtetëror me një buzëqeshje të theksuar në fytyrë, duke pohuar se “aktualisht jemi në një epokë të re në zhvillimin e teknologjisë raketore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pohimet e tij kanë dërguar një mesazh të kundërt me atë të cilin do të dëshironin ta dëgjojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj rajonal.
Siç thuhet, Kim ka parë nga afër testin e motorit të ri të fuqishëm raketor i cili është kryer në lokalitetin për lançimin e satelitëve në Soha. “Ai vuri në dukje se së shpejti bota do të jetë dëshmitare e rëndësisë nga fitorja e sotme e madhe”, ka thënë Kim i cituar nga agjencia e lajmeve KCNA.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve nga Koreja e Jugut, Yonhap, ka cituar disa ekspertë të cilët kanë thënë se testi i fundit është i ngjashëm me eksperimentin e shtatorit, por flakët e shfaqura në videon e fundit të publikuar nga Pheniani , flasin se motori mund të jetë i aftë të dërgojë raketën deri në tokën e SHBA-ve.
Më herët Kim kishte thënë se vendi i tij është duke bërë përgatitjet për të kryer testimin e një rakete balistike inter-kontinentale, motori i së cilës mund të paraqes një hap para.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson gjatë fundjavës qëndroi në Kinë, në ndalesën e tij të fundit të një turneu vizitash në Azinë Verilindore.
Koreja e Veriut ka dominuar agjendën e Tillersonit, në përpjekjet e Uashingtonit për të gjetur mënyra të reja të cilat do të frenonin ambiciet bërthamore të Phenianit, pasi bisedimet e mëparshme përfshirë sanksionet e imponuara rezultuan të dështuara.