Site icon Telegrafi

Kim Jong Un i dërgon mesazh “pajtues” Trumpit

Koreja e Veriut ka dërguar një mesazh “pajtues” tek presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përderisa të dyja vendet vazhdojnë konfliktin rreth negociatave bërthamore, ka njoftuar një gazetë e Koresë së Jugut.

Gazeta “Chosun Ilbo”, duke cituar burime diplomatike njoftoi më 31 dhjetor se Kim Jong Un dërgoi “një letër” tek presidenti i SHBA-ve, e cila u dorëzua më 28 dhjetor, përmes një kanali të paspecifikuar.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk ka komentuar menjëherë raportin.

Uashingtoni dhe Pheniani janë përfshirë në një bllokadë në negociatat mbi procesin e denuklearizimit të Koresë së Veriut dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Kim dhe Trump u takuan më 12 qershor në Singapor, ku deklaruan se do të ndodhë një “denuklearizim i plotë” mirëpo pa dhënë detaje se kur dhe si do të ndodhte.

Më 20 dhjetor, Koreja e Veriut tha se kurrë nuk do të heqë dorë nga armët e veta bërthamore në rast se Shtetet e Bashkuara nuk e largojnë kërcënimin e vet bërthamor, duke shfaqur një qëndrim të ashpër me amerikanët. /Rel/

Exit mobile version