Mediat e regjimit të Koresë së Veriut publikuan fotografi të një takimi midis liderit, Kim Jong-un dhe gjeneralëve korenao me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund Luftës Koreane.
Gjersa në jug të Gadishullit Korean kjo datë e rëndësishme u festua duke respektuar distancën shoqërore, në Pyongyang nuk u kujdes për masat epidemiologjike, shkruan thetime.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut pozoi me rreth 30 gjeneralë, dhe secili prej tyre kishte një armë në dorë, kështu që nuk është për t’u habitur që mediat e huaja shkruajnë se ato duken si një lloj organizimi mafioz, transmeton Telegrafi.
Mysafirët ngritën lart pistoletat e tyre përkujtimore dhe u betuan se do të luftonin për Kim Jong-un me koston e jetës së tyre.
Përveç pozimit të çuditshëm me gjeneralët, Kim vizitoi edhe varrezat, ku janë varrosur viktimat e Luftës Koreane. Ai vuri një trëndafil dhe u përkul para monumentit të ngritur për nder të viktimave. /Telegrafi/