Telegrafi

Kili në finale të Kupës së Konfederatave (Video)

Kili është kualifikuar në finale të Kupës së Konfederatave duke eliminuar Portugalinë pas ekzekutimit të penaltive.

Në dhjetë minutat e para ka mundur të shënoheshin dy gola – nga një për secilën skuadër, mirëpo intervenimet mbresëlënëse të Rui Patricios në njërën anë dhe Claudio Bravos në anën tjetër, bënë që rrjetat të mos prekeshin.

Arturo Vidal vazhdimisht i rrezikshëm (Twitter/Squawka)

Loja e mirë vazhdoi deri në mbyllje të 45 minutave të para, mirëpo rrjetat heshtën dhe me rezultatin e fillimit të ndeshjes, skuadrat shkuan në pushim.

Arturo Vidal ishte i rrezikshëm në gjysmën e dytë me dy raste të mira, ndërsa Patricio u tregua serish vendimtar duke ndalur një goditje nga Eduardo Vargas.

Kampioni i Evropës dëshironte golin e fitores (Twitter/Squawka)

Skuadra portugeze, nga ana tjetër, ndërtonte aksione në përpjekje për ta ndëshkuar kundërshtarin, mirëpo as ata nuk ia dilnin të shënonin.

CR7 dhe bashkëlojtarët e tij u përpoqën në minutat e fundit të kohës së rregullt që ta rrëmbenin fitoren, por nuk ia dolën dhe sfida shkoi në vazhdime.

Alexis ka mundur ta vuloste ndeshjen (Twitter/Squawka)

Rastin më të mirë në pjesën e parë të vazhdimeve e pati Alexis Sanchez, por goditja e tij me kokë shkoi jashtë.

Kur po përfundonte edhe pjesa e dytë e vazhdimeve, Vidal goditi shtyllën, ndërsa topin e kthyer, Alexis nuk arriti ta dërgonte në rrjetë, pasi edhe ai e përplasi për shtylle.

Duke qenë se nuk pati gola, fituesi u vendos nga njëmbëdhjetëmetërshat. Dhe nga ekzekutimi i penaltive më të suksesshëm u treguan lojtarët e Kilit. Claudio Bravoi i ndali tre penallti të portugezëve.

Kili në finale do të luajë kundër fituesit të duelit ndërmjet Gjermanisë dhe Meksikës. /Telegrafi/