Site icon Telegrafi

Kikaj: LDK në Podujevë, si në kohën e Ibrahim Rugovës

Të shtunën janë bërë 26 vjet nga themelimi i Degës së LDK-së në Podujevë.

Kjo ditë është shënuar edhe me një ceremoni, ku të pranishëm kanë qenë edhe drejtuesit nga qendra e partisë, por jo edhe kryeministri Isa Mustafa.

Mosprezenca e tij është arsyetuar nga kryetari i degës, njëherit edhe kryetar i Podujevës, Agim Veliu, i cili ka thënë se Isa Mustafa nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të agjendës shtetërore.

Dega e Podujevës njihet si një nga bastionet e LDK-së, por në vitet e fundit ka pasur edhe zëra se aty mund të kenë filluar përçarjet.

Klan Kosova ka kontaktuar deputetin e parlamentit të Kosovës, Agim Kikaj, i cili vjen nga kjo degë.

Ai  ka thënë se as që bëhet fjalë për diçka të tillë.

“Sa i takon propagandës se ka përçarje në Degën e Podujevës, kjo nuk më thotë asgjë, ngase ato vijnë e fabrikohen nga eksponentët e skutave për të cilët as s’ia vlen fare diskutimi”.

Por, ka qenë deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi që përmes llogarisë së tij në Facebook ditë më parë ka thënë se në një takim që është mbajtur nga kryesia e degës – që e kanë përkrahur deputetët që e kanë votuar Hashim Thaçin për president – ka folur vetëm kryetari i degës, Agim Veliu.

Klan Kosova ka kontaktuar me Bulliqin, i cili nuk ka dashur të përgjigjet nëse dega e LDK-së në Podujevë po përçahet:

“Nuk kam çfarë të them për këtë. Dega e LDK-së mbush 26 vjet nga themelimi dhe nuk ka ndonjë zhvillim të veçantë atje”.

Këtë reagim të Bulliqit për Agim Veliu nuk ka pëlqyer ta komentojë deputeti Kikaj.

“Ka qenë një mbledhje tematike e Kryesisë së Degës me kryetarët e Nëndegëve të LDK në funksion të përgatitjeve të shënimit të 26 vjetorit të themelimit të degës. Secili nga ne kemi pasur mundësinë e fjalës dhe diskutimit. Ç’është e vërteta, kryetari disa herë e ka kërkuar mendimin tonë, ide a propozime të reja, por të gjithë jemi pajtuar me parashtrimin që iu ka bërë kryetari i Degës vendimeve të Kryesisë së Degës të mbajtur pak ditë më parë”.

Kurse për përvjetorin e 26 të degës në Podujevë, Kikaj ka thënë se LDK sot pa dyshim është parti e konsoliduar në planin e organizimit dhe më e maturuar në aspektin politik dhe atë të funksionimit të demokracisë së brendshme.

“LDK e Podujevës ka 26 vjet të ekzistencës dhe veprimtarisë së saj politike e kombëtare, pra mbi çerekshekulli jetë. Bashkëveprojnë natyrshëm eksperienca me gjeneratën e teknologjisë së informacionit, të rinjtë dhe gratë, ku gëlojnë diskutimet për idetë, për synimet dhe interesat e qytetarëve dhe mënyrat e akomodimit institucional e ligjor sipas prioriteteve”.

“Anëtarësia dhe veprimtarët e LDK në Podujevë kanë edhe aftësinë e gjykimit politik edhe përgjegjësinë për zhvillimet në vend dhe besimit në vendosmërinë për ndërtim dhe zhvillim të vendit e që LDK dhe organet drejtuese të saj e kanë pjesë të agjendës së përditshme”.

“Zelli i disa syresh nuk është se ia behu sot. Faktet thonë sa ata janë të njëjtët si për të gjallë të Presidentit Rugova”.

Kikaj ka thënë për Klan Kosovën se koalicioni me PDK-në është bërë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LDK.

“Ka qenë një proces debati dhe peshimi politik ku ka mbisunduar para së gjithash interesi për shtetin”.

Sipas tij, LDK do të fuqizohet e konsolidohet pa dyshim, anëtarësia ka besimin dhe angazhohet për këtë qëllim.

“Hasedxhinjët do të mbeten të dëshpëruar!”.

Exit mobile version