Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Gatishmëria e papritur e Administratës së Shteteve të Bashkuara për të autorizuar përdorimin nga Ukraina të armëve të avancuara, duket si një rast klasik i veprimit të vonuar dhe të pamjaftueshëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky veprim nuk mund të ndihmojë për të ndryshuar rrjedhën e luftës në favor të Kievit.
Vendimi i vonuar i Joe Bidenit për të lejuar Kievin të përdorë raketa me rreze të gjatë kundër objektivave ushtarake në Rusi. vjen pas muajve të tërë rezistence ndaj kërkesave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’i përdorur këto armë për qëllimin e tyre kryesor: mposhtjen e forcave ruse.
Pas poshtërimit të demokratëve në zgjedhjet e fundit në ShBA, Bideni ka ndryshuar qëndrimin dhe ka premtuar t’i ofrojë Ukrainës sa më shumë ndihmë ushtarake që të jetë e mundur – para se të largohet nga detyra. Kjo përfshin lejen për përdorimin e Sistemit të Raketahedhësve Taktikë të Ushtrisë Amerikane (ATACMS) kundër objektivave brenda territorit rus, si dhe furnizimin me mina tokësore antipersonel.
Hezitimi i mëparshëm i Bidenit për të miratuar përdorimin e raketave me rreze të gjatë – të furnizuara nga Perëndimi – përtej kufijve të Ukrainës, ka qenë ekuivalent me detyrimin e ushtrisë ukrainase që të luftojë me njërën dorë të lidhur pas shpine. Rusët kanë pasur mundësinë të sulmojnë Ukrainën pa frikë, nga siguria e bazave të tyre brenda Rusisë, ndërsa ukrainasit kanë qenë të kufizuar në sulmimin e pozicioneve ruse vetëm brenda territorit ukrainas – të paktën për sa i përket përdorimit të raketave.
Ky kufizim i rëndësishëm ka pasur ndikim të prekshëm në rrjedhën e luftës, duke i mundësuar forcave ruse të marrin territore – për herë të parë që nga fillimi i “operacionit të veçantë ushtarak” të presidentit rus Vladimir Putin, kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Arsyeja që Uashingtoni tani po furnizon vijën e frontit me mina tokësore, është për të parandaluar një avancim të madh të forcave ruse kundër pozicioneve mbrojtëse të Ukrainës, para largimit të Bidenit nga detyra.
Ky realitet dëshpërues është një kritikë e ashpër ndaj hezitimit të vazhdueshëm të Bidenit për të mbështetur Ukrainën. Por, pranimi i vonuar se duhet bërë më shumë për të parandaluar që Putini të shpallë fitoren – që do të kishte pasoja shkatërrimtare për Perëndimin – nënkupton se ukrainasit ende mund të kenë një shans për t’i shkaktuar Moskës një humbje të rëndësishme.
Nevoja urgjente e ukrainasve për të ndalur sulmet ushtarake të Rusisë, duke goditur objektiva kyçe brenda territorit rus, u dëshmua qartë nga shpejtësia me të cilën forcat ukrainase kryen sulmin e parë me ATACMS ndaj Rusisë, duke lëshuar gjashtë raketa me rreze të gjatë drejt një depoje municionesh ruse në rajonin Briansk, pranë kufirit verior të Ukrainës. Raportohet gjithashtu se ukrainasit përdorën një raketë me rreze të gjatë, Storm Shadow, të furnizuar nga Britania, për të sulmuar një bazë ruse në Kursk – një provincë kufitare ruse, pjesërisht e marrë nën kontroll nga forcat ukrainase në gusht.
Rikthimi i Kurskut është tani një nga prioritetet kryesore të Putinit, pasi ai dëshiron të shmangë poshtërimin e të qenit lideri i parë i Kremlinit që ka humbur territor rus, ndaj forcave të huaja, që nga Lufta e Dytë Botërore. Për këtë qëllim, rusët kanë angazhuar 10 mijë trupa koreano-veriore për të çliruar territorin nga kontrolli ukrainas.
Përfshirja e forcave koreano-veriore në përpjekjet e luftës së Putinit, thuhet se është një nga faktorët që më në fund e bindi Bidenin të heqë kufizimet për përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjatë, një vendim që mund të jetë vendimtar për shanset e Ukrainës për të parandaluar Moskën të rimarrë Kurskun.
Një konsideratë tjetër e rëndësishme për Bidenin është rikthimi i afërt i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, në janar, i cili ka premtuar se do ta përfundojë konfliktin në Ukrainë brenda 24 orëve nga marrja e detyrës. Ukraina ishte një temë e rëndësishme kur të dy udhëheqësit u takuan për të diskutuar përgatitjet e tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë javës së kaluar, ku presidenti në largim i tha Trumpit se lejimi i Putinit për të shpallur fitore në Ukrainë mund të çonte përfundimisht në përfshirjen e Uashingtonit në një konflikt më të gjerë evropian.
Trumpi, si dikush që i pëlqen të marrë merita nga çdo marrëveshje që negocion, do të dëshirojë të shfaqet në një dritë të favorshme nëse arrin të ndërmjetësojë një marrëveshje midis Moskës dhe Kievit. T’i jepet Ukrainës mundësia për të kaluar në sulm dhe për të fituar një epërsi në fushëbetejë, kjo me siguri do ta ndihmonte Trumpin të justifikonte shpenzimet e mëdha që kombet perëndimore kanë bërë për kauzën ukrainase.
Gjithashtu, nuk duhet t’i jepet shumë rëndësi përpjekjes së fundit të Putinit për të frikësuar Perëndimin duke ngritur spektrin e një katastrofe bërthamore. Kjo ka qenë një taktikë e përsëritur e Putinit që nga pushtimi i Ukrainës, veçanërisht kur Kremlini e sheh veten në mbrojtje. Ndërsa kërcënimet bërthamore të Putinit kanë arritur ta bindin Bidenin për të vepruar me maturi në mbështetjen e tij për Ukrainën, aktet e hapura të frikësimit – si përpjekja e tij e fundit për të ulur pragun e përdorimit të armëve bërthamore taktike kundër Ukrainës dhe aleatëve të saj – nuk janë asgjë më shumë se shantazh.
Putini dhe ushtria e tij e profiterëve në Kremlin, i kuptojnë mirë pasojat e tmerrshme që do të kishte për Rusinë përdorimi i vetëm i një prej kokave të saj bërthamore taktike kundër Ukrainës.
Pas më shumë se një mijë ditësh konflikti të ashpër, shpresa mbetet gjallë që Ukraina, me mbështetjen efektive të Perëndimit, të mund të dalë ende fitimtare. /Telegrafi/