Site icon Telegrafi

Kiçmari: Zgjedhjet e reja, partitë duhet të fokusohen në reformimin e sistemit ekonomik dhe social

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, ka thënë se shoqëria në vendin tonë karakterizohet me gjendje të rëndë sociale, shkallë të lartë të papunësisë, rritje e ultë ekonomike dhe dëshpërim i madh shoqëror nga politika dhe shteti.

E gjithë kjo, pasi si pas tij politika nuk ka arritur të krijojë një fundament për punësim dhe rritje ekonomike solide.

“Mungesa e një sistemi të shtetit të mirëqenies sociale ka bërë që të mos ketë shpërndarje racionale të të mirave publike. Kjo ka pasur për pasojë rritjen e diferencave në mes të shtresave shoqërore”, ka thënë Kiçmari.

Ai është shprehur se zgjedhjet e reja janë një shans e mirë për subjektet politike për të rishqyrtuar tezat e tyre themelore programore në lidhje me sistemin ekonomik dhe social të vendit tonë.

” Në vend që subjektet politike të harxhojnë më shumë kohë për tema të tilla, ato përqendrohen në tema joproduktive (psh. dialogu me Serbinë), pa përmbajtje dhe bëjnë premtime pa mbulesë (psh. liberalizimi i vizave). Ato do të duhej të harxhonin kohë për të analizuar mundësitë e reformimit të sistemit tonë ekonomik dhe social”, thotë ish ambasadori.

Kiçmari ka paraqitur në variant të shkurtër tri llojet e shteteve sociale në botën perëndimore:

Modeli socialdemokratik skandinav i shtetit social përqendrohet në një përkujdesje dhe shpërndarje të gjerë sociale. Këtu kemi të bëjmë me principin e barazisë së të gjithë anëtarëve të shoqërisë pavarësisht kontributit dhe statusit të tyre në shoqëri. Ky model është një lloj modeli universal i shtetit social. Në këtë sistem synohet zvogëlimi i diferencave në të ardhura përmes shpërndarjes egalitare të të mirave publike. Ky model dominon në Suedi.

Modeli konservativ kontinental evropian bazohet në sigurimet sociale, pensionet, sigurimin nga papunësia dhe sëmundja. Synim i shtetit është ruajtja e standardit social. Tiparet dalluese të këtij modeli janë: ka një përqendrim të theksuar në sigurimin social përmes punës me pagë, të bazuar në përkatësinë klasore dhe statusin shoqëror dhe familjar. Ky model dominon në Gjermani.

Modeli liberal anglosakson. Te ky model dominon logjika e tregut dhe sigurimit privat. Sipas këtij modeli vendoset primati i përgjegjësisë vetijake dhe nuk preferon rrjet të fortë të sigurisë sociale. Ky model dominon në SHBA.

“Qytetari i Kosovës është punëtor. Ai është në gjendje të kryejë obligimin e tij në raport me shoqërinë, familjen dhe veten e vet, nëse i jepet mundësia të punojë. Fakti se ai është i papunë është problem strukturor dhe jo faj i tij. Partitë politike duhet të analizojnë me kujdes dhe të përcaktohen për variantin e preferuar për kushtet e Kosovës”, ka thënë Kiçmari /Telegrafi/

Exit mobile version