Telegrafi

Kiçeec kërkon nga Gjykata e Apelit uljen e dënimit

Zoran Milevski – Kiçeec personalisht kërkoi në Gjykatën e Apelit dënim më të ulët se ai me tre vjet burg që e mori në rastin “Haraçi”. Kjo për “Alsat” u konfirmua sot nga gjykata. Gjykatësit e apelit mund ta konfirmojnë dënimin, ta ndryshojnë atë ose ta kthejnë Kiçeecin në rigjykim. Këtë vendim ai do ta presë në liri, pasi dy muaj më parë iu hoq edhe arresti shtëpiak.

“Lëndën do ta shqyrtojmë me kujdes dhe në detaje. Vendimin do ta sjellim në varësi të dinamikës së rishikimit të çështjes”, thonë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Penale para gjysmë viti e dënoi Kiçeecin me tre vjet burg, pasi që ai e pranoi fajin për rastin “Haraçi” për marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm. Prokuroria në gjykatë paraqiti se si ai dhe “Boki 13” largoheshin nga shtëpia e biznesmenit Orce Kamçev me një çantë “Louis Vitton”, në të cilën dyshohet se ka pasur një milion euro. Në dënimin trevjeçarë reagoi avokati i Kiçeecit.

“Për këtë vepër mundet edhe dënim me kusht”, tha Aleksandar Novakovski- avokat i Zoran Kiçeec.

Derisa Kiçeec kërkon dënim më të ulët, Gjykata Penale pritet ta shpallë aktvendimin për “Boki 13” dhe Katica Janevën. Për dallim nga Kiçeec, ata pohojnë se nuk janë fajtorë për zhvatjen e 1,5 milionë eurove nga biznesmeni Kamçev, i dyshuar në rastin “Perandoria”.