Site icon Telegrafi

Khodorkovsky Center: Rusia shpenzon pesë herë më shumë në propagandë sesa në luftimin e pandemisë COVID-19

Moska gjatë vitit 2022 pritet t’i shpenzoj 10.5 miliardë rubla apo 128 milionë euro për luftimin e pandemisë COVID-19, ndërsa përkrahja për Russia Today dhe RIA Novosti do të jetë 52.9 miliardë rubla apo 645 milionë euro.

Kështu njofton Khodorkovsky Communications Center, e cila drejtohet nga Mikhail Khodorkovsky një biznesmen në ekzil, që kishte ikur nga ndjekja e Kremlinit si kundërshtar i presidentit aktual Vladimir Putin.

Sipas kësaj qendre, shpenzimi i Rusisë në përhapjen e propagandës është pesë herë më i madh sesa luftimi i COVID-19.

“Moska do të shpenzojë 10.5 miliardë rubla [128,059,548 euro] për të luftuar pandeminë COVID-19 në vitin 2022. Ndërkohë, shpenzimet shtetërore për propagandë në Russia Today (RT) dhe RIA Novosti do të marrin 52.9 miliardë rubla [645,176,202 euro]. Si do ta marrin vesh rusët që COVID-19 është mposhtur për 10-tën herë?”, njofton kjo qendër me bazë në Londër.

Nga të dhënat zyrtare të Agjencisë ruse të Statistikave (ROSSTAT), gjatë muajit shtator kanë vdekur mbi 44 mijë persona nga COVID-19 në vend, që është dyfishi i shifrës zyrtare të vet Qeverisë.

Kjo e çon numrin e vdekjeve nga COVID-19 në Rusi në rreth 450 mijë, numri më i lartë në Evropë.

Autoritetet ruse vazhdimisht janë akuzuar se kanë minimizuar efektet e pandemisë në vend dhe të dhënat e ROSSTAT tregojnë për një gjendje më të rëndë sesa tregojnë shifrat zyrtare. /Telegrafi/

Exit mobile version