Zalmay Khalilzad, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, ka parashikuar se talibanët nuk do të pranojnë një armëpushim të përhershëm, derisa nuk arrihet një marrëveshje politike me Qeverinë afgane.
“Mendoj se talibanët nuk do ta pranojnë armëpushimin, derisa nuk ka marrëveshje politike”, tha Kahalilzad.
Këto komente që ai i bëri për transmetuesin publik amerikan PBS, vijnë në kohën kur talibanët po vazhdojnë të kryejnë sulme në mbarë Afganistanin, pavarësisht se po marrin pjesë në bisedimet e paqes me Qeverinë afgane, që po mbahen në Katar.
Khalilzad tha se pavarësisht rritjes së dhunës, niveli i dhunës në Afganistan është më i ulët, krahasuar me vitin e kaluar.
“Nëse krahasohen gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar me këtë vit, pavarësisht rritjes së dhunës së fundmi, numri i viktimave, si në anën e ushtarëve dhe civilëve, ka shënuar rënie këtë vit”, tha ai.
I pyetur se pse militantët talibanë nuk kanë ndërprerë publikisht lidhet e tyre me rrjetin terrorist Al-Kaida, ashtu edhe siç parashihet në marrëveshjen që kanë arritur me SHBA-në, Khalilzad tha se Washingtoni do të ndihmojë në këtë situatë dhe në muajt e ardhshëm, numri i ushtarëve amerikanë në Afganistan do të reduktohet në 4,000-5,000 nga 8,500 sa janë aktualisht.
Negociatorët e Qeverisë afgane dhe ata të talibanëve po zhvillojnë bisedime të paqes në Katar. Bisedimet, që nisën më herët gjatë këtij muaji, kanë për qëllim dhënien fund të luftimeve dhe arritjes së paqes. /REL/