Telegrafi

Khalilzad: Statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt

Çështja e statusit nuk ishte në rendin e ditës të takimit të Këshillit të Sigurimit me administratorin e Kosovës Joachim Ruecker, por komentet e diplomatëve u përqendruan pikërisht tek statusi.

Ambasadori amerikan në OKB, Zalmay Khalilzad tha se, negociatat nuk duhen zgjatur përtej 10 dhjetorit.

“Është mendimi i Shteteve të Bashkuara se përpjekja e trojkës duhet të përfundojë dhe për këtë ka një mandat, më 10 dhjetor. Zgjidhja më e mirë do të ishte që palët, shqiptarët dhe serbët, të arrinin një marrëveshje, por gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pa përcaktuar statusin, pasi mundësia për destabilimin e Kosovës është e madhe. Pikëpamja jonë, është se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet dhe duhet të përcaktohet shpejt. Preferenca do të ishte marrëveshja, por koha po mbaron dhe urojmë që treshja të ketë sukses, përndryshe ne duhet të marrim një vendim me forma të tjera”, tha ai.

Komentet e tij ishin në kontrast me ato të ambasadorit të Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, i cili theksoi se, synimi kryesor duhet të jetë arritja e një marrëveshje të negociuar. Churkin shprehu shpresë për arritjen e një marrëveshjeje dhe ai nuk e përjashtoi mundësinë e zgjatjes më tej të negociatave.

“Për mua mund të ketë një numër skenarësh pas 10 dhjetorit. Ndoshta mandati i treshes mund të zgjatet, ndoshta mund të krijohet një mandat tjetër, ose mund të gjendet një tjetër formë për të vazhduar negociatat. Por skenari tjetër është i papranueshëm. Çdo shpallje e pavarësisë në mënyrë të njëanshme nuk do të sillte asnjë zgjidhje, as stabilitet në Kosovë, as stabilitet në rajon dhe as stabilitet ndërkombëtar”.

Dy zyrtarët i bënë këto komente të martën pas një takimi të Këshillit të Sigurimit me administratorin e Kosovës, Joachim Ruecker, ku Këshilli u informua për situatën dhe përgatitjet për zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Kosovë. /VoA/