Prishtina ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Drenica 0-1.
Drenicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe patën një rast të mirë shënimi në minutën e 24-të.
Kreshnik Uka doli në mundësi të mirë shënimi, por që goditja e tij u bllokua në fund nga Leotrim Bekteshi i Prishtinës.
Prishtina rastin e vetëm në pjesën e parë e pati në fund të saj, kur Arago Jamal goditi me kokë por pa problem për Ymerin.
Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Prishtina rast të artë pati në minutën e 60-të, por goditjen e mirë të Morinës e priti për mrekulli Ymeri i vendasve.
Pesë minuta më vonë, Arbër Hoxha depërtoi bukur në zonë por goditjen e tij e ndali përsëri portieri vendas.
Në minutën e 89-të kryeqytetasit kanë shënuar edhe golin e fitores me autor Basit Khalid.
Ishte kapiteni Armend Dallku që asistoi për mrekulli te sulmuesi afrikan që shënoi për 0-1.
Pas golit të shënuar, Prishtina u mbrojt mirë dhe në fund morri tri pikë tejet të vlefshme nga udhëtimi i vështirë në Skenderaj.
Fitorja e mban Prishtinën në pozitën e dytë në tabelë me 30 pikë të tubuara, vetëm dy më shumë se Feronikeli me të cilën skuadër do të takohen pas katër ditëve skuadra e Mirel Josës. /Telegrafi/