Prishtina arriti një fitore të madhe në udhëtim te Feronikeli.
Kryeqytetasit triumfuan me rezultat të ngushtë 1-2, falë dy golave nga afrikanët Khalid dhe Makenda.
Sulmuesi i rrezikshëm, Basit Abdul Khalid ka deklaruar pas ndeshjes se fitorja ishte tejet e rëndësishme.
Ai ndër tjera ka deklaruar se këto tri pikë do t’i shërbejnë për pozitën e dytë.
“Edhe një ndeshje, si të gjitha këto deri sot, e luftuar si ekip me fitore të çmuar që besoj shumë se në fund do të na shërben për vendin e dytë”.
“E pranoj, ishte lojë shumë e fortë dhe ndër më të mirat që e kemi luajtur, sepse Feronikeli s’është ekip i vogël, por ne kësaj here luftuam shumë duke e menaxhuar mirë lojën dhe me meritë e fituam atë”, deklaroi Khalid.
Pas fitores në udhëtim, Prishtina ndodhet në pozitën e dytë me 66 pikë të tubuara, katër më shumë se Llapi në pozitën e tretë. /Telegrafi/