Klubi i hendbollit Rahoveci është nikoqir i rumunëve të CS Minaur Baia Mare në ndeshjen e parë të fazës së 1/16-tës në EHF European Cup.
Rahovecasit janë gati për ndeshjen e parë ndaj rumunëve, që pritet të zhvillohet sonte (e shtunë), me fillim nga ora 19:00 në palestrën ‘Mizair Isma’.
Klubi kosovar synon të bëjë histori duke u bërë skuadra e parë që kualifikohet në mesin e 16-të ekipeve më të mira evropiane në hendboll.
Për këtë ndeshje, klubi rumun ka kërkuar masa shtesë të sigurisë, pas problemeve të fundit në ndeshjen e futbollit mes kombëtares së Kosovës dhe Rumanisë.
Gjyqtarë të kësaj ndeshje janë: Matija Brodic dhe Matija Hodzic nga Kroacia, teksa delegat i EHF, Stepan Partemian nga Greqia.
Ndeshja kthyese në Rumani është planifikuar për datën 30 nëntor, nga ora 15:00. /Telegrafi/