Në një komunikatë të lëshuar nga skuadra kuqezi theksohet gjendja e vështirë e saj, e krijuar pas një edicioni mjaft të mirë. “Klubi është zhytur në borxhe, shkaku që stinorin pranveror veprimtarinë e vet sportive e ka zhvilluar duke llogaritur në vendimin e Asamblesë Komunale të muajit mars, për të na ndarë 15 mijë euro. Vetëm 4 mijë euro nga këto i ka alokuar në xhirollogarinë e klubit.
Për pasojë, nuk ka qenë e mundur të shlyhen obligimet financiare ndaj lojtarëve dhe as të shlyhen borxhet e udhëtimit dhe ushqimit. Me ato 4 mijë euro, vetëm janë bërë pagesat ndaj gjyqtarëve dhe personave tjerë zyrtarë, si dhe pagesa e palestrës ku kemi zhvilluar lojërat si vendas. Në planifikimet buxhetore për vitin 2014, Komuna e Drenasit kishte paraparë t’ia ndante klubit gjithsej 25 mijë euro për të dyja sezonet.
Tani, autoritetet kompetente të komunës kanë shuar shpresat se do të përmbushin këto zotime. Ne ftojmë Komunën të reflektojë. Ekzekutivi komunal duhet të ndërmarrë masa dhe t’i përmbahet vendimit të Asamblesë për të përmbushur obligimet ndaj klubit të hendbollit “Drenica”. Përndryshe, vijimi i garave bëhet i pamundur.
Klubi nuk do të mund të startojë në kampionatin e sivjetmë të Superligës dhe nuk do të jenë vetëm seniorët që do të pësojnë. Janë edhe tri grupmoshat tjera: juniorët, kadetët dhe pionierët. Pra, janë afro 80 lojtarë, nga ta edhe anëtarë të Përfaqësueses të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e skuadrës së Drenicës. /Tribuna/Telegrafi/