Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), konfirmoi të premten se në mbledhjen e 281-të ka vendosur për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga pozita e saj si kryetare dhe sipas tyre ky vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve.
Në njoftim më tej thuhet vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, Liljana Stevanoviq.
“Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, një ditë më parë Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.
Vendimi u bë i ditur përmes një komunikate nga KGJK.
Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/