Telegrafi

KGJK reagon pas përcaktimit të koeficientit: Dëmtohet pavarësia dhe funksionimi i sistemit gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e mbajtur më datë 2 shkurt 2023, së bashku me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ka diskutuar dhe analizuar vendimin e Qeverisë për vlerën e koeficientit, si dhe efektin e këtyre akteve në sistemin gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor konsideron se vendimi i Qeverisë, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

“Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian”.

“KGJK shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar vendimin e Kushtetueses për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, prandaj ftojmë Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor./Telegrafi/